Mirësevini në Portalb

Të nderuar lexues, mirësevini në ueb portalin informativ Portalb!
Bazuar në logjikën e deritanishme të prezantimit të mediumeve informative, sigurisht që prisni nga redaksia jonë të fillojë me garancitë e zakonshme: do të ju ofrojmë informata më të freskëta në çdo kohë, informatat do të jenë objektive dhe profesionale,  dhe të mbarojë me thënien që do të jemi një medium real dhe transparent.

Po, të nderuar, sigurisht që fraza e lartpërmendur njëkohësisht e stërpërdorur sa dhe i afrohet kufijve të klishesë, vlen dhe për Portalb.  Duke u nisur nga fakti që ne besojmë në profesionalitetin tonë dhe në përkushtimin e një gazetarie të ndershme për të arritur të vetmin qëllim të këtij profesioni të shenjtë: informim të balancuar dhe objektiv,  vlerësojmë se me shumë të drejtë mund të japin garancia të tilla. Megjithatë , serish ju lexues të nderuar , mbetet të gjykoni sa do t’ia arrijmë qëllimit tonë.

Përpos kategorive informative standarde të lajmeve nga vendi dhe bota, sporti, teknologjia, kultura, si dhe vendin e rezervuar për opinionistët vendas dhe më gjërë, Portalb synon t’ju sigurojë hapësire të posaçme studentëve. Këndi studentor do të jetë vendi ku studentët nga Maqedonia, por dhe nga rajoni do të munden të shprehen lirisht për çështjet që ata i tangojnë. Studentë të respektuar, le ta shndërrojmë Këndin studentor së bashku në një blog universal studentor, në të cilin fjala juaj në asnjë moment nuk do të ngufatet.

Portalb ka për qëllim qytetarëve tu mundësojë qasje dhe interaktivtet  më të madh me mediet e informimit si dhe ato sociale. Lexues të nderuar, nuk është patjeter të jeni gazetarë për ta informuar publikun për ndonjë ndodhi në rrethin tuaj. Duke u nisur nga kjo, mundësia  -Na shkruani -është opsioni i qëlluar për të realizuar objektiven tonë sepse  në këtë faqe të gjithë  kanë mundësi të dërgojnë përmbajtjet e tyre qoftë informata apo opinione të shoqëruara me foto apo video.

Për të mos e zgjatur shumë, sa për rikujtim, gazetaria dhe mediet në vend aktualisht ndoshta kalojnë periudhën më të vështirë nga pavarësimi i Maqedonisë. Dita-ditës mbyllen mediume ndërsa gazetarët pranojnë shantazhe, kërcënime apo dhe oferta për të shitur profesionin për pak apo shumë para.  Situata me mediet e tilla është larg ideales në një vend si Maqedonia e cila tenton të rruajë demokracinë e brishtë. Mund të themi se Portalb aktivizohet në kohë të qëlluar, për të futur gjallëri në sferën e zymtë mediale që e ka kapluar vendin.

Lexim të këndshëm!

Elida Zylbeari
Kryeredaktore

Lajme të ngjashme

Back to top button