Ambasadorja e bullgarisë vizitoi komunën e Tetovës

Në komunën e Tetovës ka qëndruar për vizitë, ushtruesja e detyrës ambasadore e Bullgarisë në Maqedoni, Vania Andreeva Malakova. Qëllimi i takimit ishte vazhdimi i bashkëpunimit me komunën e Tetovës, në fushën e arsimit, kulturës, ekonomisë dhe turizmit.

“Ne si ambasadë do të mundohemi të hapim shtigje të reja për bashkëpunim mes komunës së Tetovës dhe komunave në Bullgari. Kuptuam që komuna e Tetovës është binjakëzuar me komunën e Bllagoevgradit dhe si rezultat i kësaj janë realizuar shumë bashkëpunime sidomos në sferën e arsimit”, tha Malakova. Sipas saj, Tetova ka potenciale të shumta arsimore, sepse këtu janë të vendosur dy universitete, ndërkohë që ajo ka bërë të ditur se do të angazhohet për vendosjen e bashkëpunimit të këtyre universiteteve me universitetet e Bullgarisë për programe të veçanta studimore.

Malakova ka theksuar se do të nxitet edhe bashkëpunimi në fushën ekonomike dhe tregtare si dhe në zhvillimin e turizmit në Kodrën e Diellit.

Kryetari i komunës së Tetovës, Sadi Bexheti, tha se kishte një takim të frytshëm me ushtruesen e detyrës ambasadore e Bullgarisë në Shkup, zonjën Malakova. Sipas tij, komuna e Tetovës menjëherë do të angazhohet për rritjen e bashkëpunimit me komunat e Bullgarisë.

“Me komunën e Bllagoevgradit me të cilën jemi binjakëzuar do të vendosim bashkëpunime konkrete në drejtim të realizimit të projekteve të përbashkëta kulturore si dhe shprehëm gatishmëri për përkrahje të ekspozesë që do të organizohet nga ambasada e Bullgarisë”, tha kryetari Bexheti.

Lajme të ngjashme

Back to top button