Një botim i ri për aktivitetin e Radios Deutsche Welle në shqip

Në kuadër të 20 vjetorit të fillimit të transmetimeve në gjuhën shqipe të Radios Deutsche Welle është botuar ditët e fundit libri “Ja si duhet të informohem!”. Ky është një botim i Institutit Shqiptar të Medias në Tiranë me autor gazetarin Arben Muka, i cili prej 15 vitesh punon si korrespondent i këtij stacioni gjerman në Shqipëri.

Libri “Ja si duhet të informohem” nuk duket si një histori e mirëfilltë për DW në shqip. Autori ka preferuar që të nxjerrë në pah dhe të fokusohet në  disa aspekte kryesore të rolit dhe ndikimit që ka patur ky medium ndërkombëtar në gjuhën shqipe, për mënyrën e raportimit profesional dhe të balancuar mbi atë që ndodh në rajon, në Evropë dhe në gjithë globin. Për përcjelljen e frymës europiane, për nxitjen e bashkëpunimit rajonal, për përhapjen e kulturës dhe gjuhës gjermane etj.

DW në shqip ka qenë e ndjekur dhe nga shqiptarët e Maqedonisë, sidomos gjatë zhvillimeve në fillim të viteve 2000, duke u vlerësuar si një burim i besueshëm për atë që ndodhte brenda Maqedonisë, por dhe për vlerësimet dhe apelet e komunitetit ndërkombëtar në gjetjen e zgjidhjeve dhe kapërcimin e krizave.

Siç dhe shkruan autori në hyrje të botimit të tij bëhet fjalë  për  “një përpjekje që të prezantojë ngjarje që kanë ndodhur me të vërtetë, kontribute konkrete që janë kryer, por dhe të ngacmojë në memorien e lexuesit fakte dhe ndodhi që i pasurojnë më shumë marrëdhëniet e tij ndërpersonale me DW në shqip; të nxisë hulumtime dhe rrëfime të tjera, që plotësojnë në mënyrë konkurruese historinë deri tani 20 vjeçare të një mediumi që i shërben shqiptarëve në çdo cep të globit”.

“Gjatë periudhës së luftës së Kosovës dhe më pas gjatë kohës së kryengritjes shqiptare në Maqedoni gjatë vitit 2001, DW ishte një ndër burimet kryesore të informimit, me rëndësi të veçantë, një burim informimi i besueshmërisë së lartë. Kjo besueshmëri tek dëgjuesit ishte rezultat i drejtpërdrejtë i profesionalizmit të lartë medial që krijonte hapësirë për më shumë burime informimi sado të ndryshme nga njëri-tjetri tingëllonin atëherë. Raporti im me DW-në do të mbetet gjithnjë i veçantë, si radio ndërkombëtare korrespodente e së cilës isha plot 8 vite, deri në vendimin tim për t’u angazhuar politikisht. Standardet e larta profesionale që përsosa gjatë atyre viteve janë sot një inspirim më shumë për mua për t’u angazhuar për një shoqëri demokratike dhe europiane, ku liria e mediave përbën themelin e demokracisë së mirëfilltë”- është shprehur në këtë libër znj. Arifi.

Lajme të ngjashme

Back to top button