Vlorë, atentat për hakmarrje, tre të plagosur me kallash

Dy persona u plagosën dhe ndodhen në gjendje të rëndë pas një atentati mëngjesin e sotëm në qytetin e Vlorës, përcjell Top Channel.

Rreth orës 09:35, në rrugën Transballkanike, pranë një karburanti, u qëllua me kallashnikov në drejtim të një mjeti ”Mercedes Benz” me targa Vlore. Nga të shtënat mbetën të plagosur Ferdinant Llanaj (39 vjeç) dhe Dritan Bellaj (50 vjeç).

Policia ngriti pika të shumta kontrolli në të gjitha kryqëzimet kryesore dhe po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Nga hetimet e deritanishme rezulton se atentatorët kanë qenë në një automjet tjetër në momentin që makina me dy personat, objekt i atentatit, po dilte nga një rrugë dytësore për në Rrugën Transballkanike.

Në vendgjarje nuk ka pasur gëzhoja, që tregon, sipas policisë, se atentatorët kanë bërë qitje brenda automjetit.

Ndërkohë, personat e plagosur janë nxjerrë nga mjeti në gjendje të rëndë dhe u transportuan për në spitalin e Vlorës nga persona që ndodheshin aty rastësisht.

Në vendgjarje është gjetur dhe një pistoletë që dyshohet se mund të jetë e të plagosurve. Burimet thonë se atentati mendohet se ka lidhje me hakmarrjen për ngjarje të mëparshme kriminale në qytetin e Vlorës.

Të plagosurit Ferdinand Llanaj i kanë vrarë të atin në vitin 2011, në afërsi të bishtit të malit në Selenicë.

Policia konfirmoi se nga të shtënat ka mbetur i plagosur edhe një fëmijë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button