Ngjarje e pazakontë në Turqi, nënë e bijë lindin në të njëjtën kohë
Refugjatet nga Siria Fatma Birinci dhe vajza e saj Gade Birinci, tre vjet më parë u larguan nga atdheu i tyre i shkatërruar nga lufta dhe strehim gjetën në Konja të Turiqsë, raporton Anadolu Agency (AA).
Ngjarjet e luftës në Siri dhe braktisja e atdheut ishin momente të vështira, përmes të cilave kishin kaluar nëna dhe vajza e saj, me origjinë turkmene. Pas më shumë se dy vjet qëndrimi në Konja, nëna dhe vajza e saj pothuajse në të njëjtën kohë mësuan se ishin shtatzëna, dhe disa muaj më vonë, sollën në jetë dy foshnja të gjinisë mashkullore.
Për t’iu falënderuar në njëfarë mënyre shtetit të Turqisë për të gjithë mbështetjen që iu dha atyre pas arritjes në Konja, Fatma (42) dhe Gade (21) djemve të tyre u dhanë emrat Recep dhe Tayyip, që janë emrat e Presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan.
Gjatë shtatzanisë së tyre, nëna dhe vajza shkonin së bahku në kontrolle, së bashku lindën dhe përfundimisht së bashku i morën djemtë në krahët e tyre.
Dy të sapolindurat në repartet e lindjes në spitalin e Konjas u vizituan nga mjeku kryesor Erkan Atas, i cili i përcolli urimet e Ministrit turk të Shëndetësisë, Ahmet Demircan.
Atas në një deklaratë për AA tha se ishte i habitur nga fakti se nëna dhe vajza e saj kishin lindur në të njëjtën kohë.
“Nuk kam dëgjuar më parë të ketë ndodhur diçka e ngjashme. Ajo që është më e rëndësishmja është se nënat dhe foshnjat janë mirë. Ju dëshiroj jetë të gjatë dhe shumë shëndet”, tha Atas.
Nëna Fatma Birinci, pas lindjes, tha se ishte e lumtur që e kishte marrë djalin e saj në dorë të shëndetshëm.
“Veçanërisht jam e lumtur që linda në të njëjtën kohë me bijën time. Në të njëjtën kohë, u bëra me djal dhe me nip”, tha Birinci.