Zaev-Kozias: Mbyllje e çështjeve përmes mirëkuptimit të ndërsjellë për interesat e të dy shteteve

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë Zoran Zaev, i shoqëruar nga ministri i Punëve të Jashtme Nikolla
Dimitrov, sot u takua me ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Greqisë, Nikos Kozias.

Kryeministri Zaev, siç informojnë nga kabineti i tij, në takimin miqësor në atmosferë të këndshme dhe konstruktive me ministrin Koxijas kanë shprehur përcaktim të përbashkët për thellimin e besimit mes dy palëve, përmes marrëdhënieve parimore dhe kujdesin e ndërsjellë për interesat e të dy shteteve dhe popujve në të.

“Vetëm qasje pozitive në zgjidhjen e çështjeve të hapura mes shteteve, me respekt të ndërsjellë dhe mirëkuptim, është ardhmëria e rajonit”, ka thënë kryeministri Zaev.

Kryeministri ka theksuar se Qeveria e re është e përqendruar në zhvillimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, vlerat evropiane që implementohen përmes procesit të filluar reformues, përkohësisht i definuar në Planin 3-6-9, si dhe aktivitete të rëndësishme për anëtarësimin në NATO, siç është rritja e ardhshme e buxhetit të Armatës me qëllim të realizimit të qëllimeve strategjike të shtetit, integrimin në BE dhe në NATO.

“Nëse Republika e Maqedonisë lëviz para do të jetë mirë dhe për tërë rajonin”, ka theksuar kryeministri Zaev.

Në takim, prej të dy palëve janë theksuar angazhimet për zgjidhje adekuate për çështje me interes të ndërsjellë, për perspektivat euroatlantike të tërë rajonit.

“Ju mbështesim në aspiratat euroatlantike. Duam stabilitet në rajon dhe në ju shohim fqinjë të mirë. Ne u përkasim shteteve paqëdashëse. Republika e Greqisë nuk ka interesa gjeopolitike dhe gjeostrategjike ndaj vendit tuaj. Jemi të hapur për mbyllje efikase të problemeve, të cilat ndonjëherë duan të thonë edhe keqkuptime, përmes respektimit të interesave të të dy shteteve”, tha ministri grek i Punëve të Jashtme, Kozias.

Ai si akt të vullnetit të mirë për thellimin e bashkëpunimit mes dy shteteve ka ofruar këmbim të përvojave dhe ekspertiza në procesin reformues në shtetin tonë, i rëndësishëm për BE-në dhe për NATO-n.

Në takim është biseduar edhe për avancimin e bashkëpunimit ekonomik si dhe bashkëpunimin në sferën e turizmit, energjetikës, arsimit, kulturës lidhjes infrastrukturore. Është dakorduar të vazhdojë vizitat e niveleve të larta politike në procesin e ndërtimit të besimit mes shteteve, që do të jetë inkurajim shtesë për zhvillim në miqësinë mes qytetarëve dhe bashkëpunimin mes kompanive, si dhe punën e projekteve të përbashkëta të rëndësishme për cilësinë e jetës së qytetarëve në të dy vendet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button