Vazhdon seanca konstitutive e Kuvendit të Kosovës

Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se sot duke filluar nga ora 10:00 është thirrur vazhdimi i seancës konstituive, në të cilën pikë e vetme e rendit të ditës do të jetë zgjedhja e kryetarit të Parlamentit dhe nënkryetarëve.

E PAN, koalicioni PDK-AAK-NISMA, ka ritheksuar se nuk do të marrë pjesë në seancë për të propozuar kandidatin e tyre, duke e bojkotuar kështu edhe një tjetër tentativë për zgjedhjen e kreut të Kuvendit, shkruan “Koha Ditore”.

Anëtarja e kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu- Kodra, ka deklaruar se deputetët e koalicionit PAN nuk do të jenë pjesë e seancës së sotme, duke thënë se e njëjta është thirrur në mënyrë të njëanshme.

Sipas saj, nënkryetari i PDK-së Enver Hoxhaj, e ka bërë të qartë se Grupi Parlamentar do të bojkotojë seancën, në rast se nuk mbahet takimi konsultativ i të gjitha subjekteve politike.

Ndërsa kryesuesi i Kuvendit të Kosovës, më i moshuari i përbërjes së re, Adem Mikullovci, ka hedhur poshtë kërkesën e PAN-it për vazhdimin e konsultave.

Ai, madje, gjatë ditës së djeshme ka paralajmëruar se në seancën e sotme do të ketë dy befasi, gjithnjë nëse do të ketë kuorum.

Në anën tjetër, Shtetet e QUINT-it kanë shprehur brengosjen e tyre lidhur me situatën politike në Kosovë, duke thënë se është përgjegjësi e liderëve kosovarë t’i krijojnë institucionet por edhe të ndërmarrin reformat e nevojshme që të parandalojnë bllokada të tilla në të ardhmen.

Sot për herë të katërt do të mbahet vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, në përpjekje për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, një domosdoshmëri kjo për krijimin e Qeverisë së re, për të cilën nevojiten 61 votat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button