BDI dhe PDSH përplasen për përfaqësimin e shqiptarëve

Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) ka akuzuar Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) për mashtrime në lidhje me numrin e shqiptarëve të punësuar në administratën shtetëore duke thënë se në disa institucione përfaqësimi është i barabartë me zero.

BDI, nga ana tjetër ka hedhur poshtë deklaratat e PDSH-së duke thënë se përfaqësimi me zero është vetëm në shkollat fillore në Maqedoninë Lindore.

“A me të vërtet BDI-ja mendon se shqiptarët qenkan të përfaqësuar me 50% dhe se këtë do ta besojnë shqiptarët? Po ju ilustrojmë të vërtetën me disa të dhëna zyrtare që dalin nga Avokati i Popullit:, në ministrinë e shoqërisë informatike 0%, në Ministrinë e punëve të brendshme njësitet speciale 0%, në administratën e Gjykatës supreme 0%, në zyrën e Avokaturës shtetërore 0%, ka edhe më shumë institucione të tjera që kanë 0% përfaqësim të shqiptarëve! “ ka thënë deputeti i PDSH-së Orhan Ibrahimi. 

Sipas tij, sa i përket numrit të institucioneve pa shqiptar raporti i Avokatit të popullit për vitin 2010 zyrtarisht argumentoi se 335 institucione janë pa shqiptar.

“Suksesi” i BDI-së është evident, vetëm për një vit edhe 170 institucione shtesë kane ngelur pa shqiptar dhe sot ka arritur numrin e 500 institucioneve gjithsej, me veprimet e tyre BDI-ja e arrin qëllimin e vet, të pastrojë edhe ato institucione që kanë ngelur me shqiptar, pa i harruar edhe ato që qëndrojnë në shtëpi dhe marrin rrogë pa punuar, për të cilët është çështje ditësh kur edhe atyre do të ju a ndalin rrogat shkaku i “masave anti-krizë” “ ka thënë Ibrahimi duke theksuar se BDI duhet të jep sqarim përse për më se 4 vite sa janë në qeveri nuk kanë arritur të grumbullojnë të dhënat për përfaqësimin e shqiptarëve në institucione.

Zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani për Portalb ka thënë se shqiptarët janë të përfaqësuar me zero vetëm në Maqedoninë lindore.

“Ato institucione me zero shqiptar janë shkolla fillore në Maqedoninë Lindore si në Strumicë, Berovë . Njëjtë ashtu siç ka 268 institucione në Maqedoni me zero përqind përfaqësim të maqedonasve” ka thënë Osmani.

Ndryshe, ditë më parë BDI dhe Avokati i Popullit ngjallën debat në publik në lidhje me atë se sa është numri i vërtetë i shqiptarëve nëpër institucionet e vendit./portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button