BDI kundër Avokatit të Popullit

BDI sqaron zërat e dala pas deklaratës së dy javëve më pare nga Avokati i Popullit,  në të cilën thuhej se në 495 institucione në Maqedoni nuk ka të punësuar asnjë shqiptar.

Zëdhënësi i kësaj partie Bujar Osmani sqaroi për opinionin se deklarata është keqkuptuar, pasi ajo ka të bëjë me institucionet lokale në Maqedoninë Lindore.

‘Nuk kemi institucion qendror në të cilin numri i shqiptarëve është nën 10 %, kurse sa iu përket spekulimeve kinse në Maqedoni paska institucione me 0% shqiptar, kjo është një e pavërtetë shkaku se ata janë institucione lokale në Maqedoninë lindore dhe e njëjta ndodh me institucionet lokale në Maqedoninë perëndimore. Këto janë institucione lokale ku është e natyrshme mos të ketë asnjë shqiptar, sikurse në 268 institucione në Maqedoni ku nuk ka të punësuar asnjë maqedonas shkaku se janë institucione lokale në Maqedoninë perëndimore”, tha Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.

Osmani shpalosi një raport mbi përfaqësimin e shqiptarëve në institucione të ndryshme, ku në disa prej tyre numri i shqiptarëve i tejkalon 50 %.

‘Ministria e Shëndetësisë e cila është institucioni më i lartë në sistemin shëndetësor, atje përqindja e shqiptarëve ka arritur mbi 51 %. Ministria e Vetëqeverisjes lokale, shqiptarë janë mbi 50 %, Ministria e kulturës ku shqiptarët para 10 vitesh nuk mundeshin të hynin edhe si qytetarë, tani është me mbi 40 % të përfaqësuar, MASH po ashtu i tejkalon objektivat që ne kemi përcaktuar se shqiptarët duhet të jenë 25 % në institucione shtetërore dhe publike, këtu kalon shifrën mbi 30 %, Ministria e Drejtësisë po ashtu tejkalohet shifra me diku rreth 27 % shqiptarë, MPB me 17 %, dhe këtu dua të tregoj vetëm një shifër se vetëm para 10 vitesh numri i përgjithshëm i shqiptarëve ka qenë 160 në tërë ministrinë deri tek policët e terrenit, e tani numri i shqiptarëve atje është mbi 2000”, tha Osmani.

Zëdhënësi i BDI-së paralajmëroi edhe takime të tjera me median, për t’i bërë më të qartë opinionit shifrat e përfaqësimit të shqiptarëve në institucione, në prag të 10 vjetorit të formimit të BDI-së.

Marrë nga: Faqja elektronike e BDI

Lajme të ngjashme

Back to top button