Varroset Selver Haradinaj

Në varrezat e qytetit të Mitrovicës u varros Selver Haradinaj, i vrarë sot (e diele) në mëngjes në një sulm me mjet eksplodues në banesën e tij në veri të Mitrovicës.

Zyrtarë komunalë, disa deputetë, familjarë, të afërm, miq dhe shokë, si dhe shumë bashkëqytetarë, i dhanë lamtumirën e fundit, duke dënuar ashpër vrasjet e shqiptarëve në veri, të kryera me motive të qarta të spastrimit etnik të veriut të Kosovës.

Kryetari i Mitrovicës, Avni Kastrati tha se ka qenë një sulm makabër që ka tronditur të gjithë qytetarët e Mitrovicës dhe se ky rast nxjerr në pah nevojën urgjente që strukturat e sigurisë, Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i, të izolojnë strukturat kriminale serbe që po terrorizojnë qytetarët jo serbë, raporton Kosovapress. 

Vrasjen e kanë dënuar institucione shtetërore, subjekte politike dhe asociacione të ndryshme.

Shoqata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Mitrovicë, përmes një reagimi, kanë dënuar krimin makabër të kriminelëve serbë dhe kërkojmë reagimin e menjëhershëm dhe të shpejtë të organeve kompetente për siguri në pjesën veriore të qytetit, me qëllim që të kapen autorët e krimit dhe të dalin para organeve të drejtësisë për të marrë dënimin e merituar.

“Ua tërheqim vërejtjen kompetentëve për siguri në pjesën veriore të vendit, para së gjithash KFOR-it dhe EULEX-it, se po që se nuk i ndërmarrin masat e nevojshme për mbrojtjen e shqiptarëve në lagjet veriore, atëherë këtë do ta bëjnë të 1.300 veteranët e Luftës së UÇK-së të komunës së Mitrovicës dhe nuk do të lejojnë më kurrë që ata të vriten ditën e natën dhe në mënyrën më mizore nga kriminelët serbë”, thuhet në reagimin e SHVL të UÇK-së.

Marre nga:Telegrafi

Lajme të ngjashme

Back to top button