Gruevski: ‘Dosjet e spiunëve në internet’

Para sa të hyjë në procedurë parlamentare, ligji i ri për lustrim i përgatitur nga partnerët e koalicionit VMRO-DPMNE dhe BDI, kryeministri Nikolla Gruevski tha se ky ligj është përgatitur në mënyrë më transparent. Kryeministri Gruevski shpjegoi edhe arsyet përse ky ligj parasheh që dosjet e spiunëve të publikohen në internet dhe në arkivin shtetëror.

Sipas tij, kjo bëhet për shkak se opozita kritikonte komisionin për verifikimin e fakteve.

“Prandaj ne themi ja, të gjitha dosjet, tekstet e dosjeve, e tërë përmbajta të publikohet në internet, mos të ketë interpretime të ndryshme, por të mund që çdo qytetarë të lexoje nëse i intereson për ndonjë person, për cilin flitet se në kohën e tij ka qenë spiun, e ka keqpërdorur pozitën e tij për qëllime materiale dhe të karrierës. Të mund të lexohet se çfarë ka punuar, kë ka spiunuar, me çfarë qëllimi ka spiunuar”, tha Nikolla Gruevski, kryeministër i Maqedonisë.

Kryeministri Nikolla Gruevski tha se qëllimi i LSDM-së duke kritikuar këtë ligj, është për shkak të faktit se ata, nuk dëshirojnë të ketë ligj të këtillë  për lustrim. Sipas Gruevskit nëse në LSDM do të kishin dëshirë që kjo periudhë të zbardhej, mund të sillnin një ligj për lustrim edhe më herët, gjatë periudhës kur ishin në pushtet.

“Sjellja e këtij ligji ka qëllim të mirë, moralisht është i drejtë, që të mos përsëriten disa punë që kanë ndodhur më herët ku për pasurim personal, material ose spiunimit, apo për shkak të avancimit janë prishur personalitete, familje të tëra, vetëm për shkak të mendimeve të tyre ideologjike dhe politike”, tha Nikolla Gruevski, kryeministër i Maqedonisë.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i LSDM-së së Branko Cërvenkovskit. “LSDM-ja si parti serioze, qëndron në mbrojtje të rendit kushtetues të shtetit. Çdo tentim i Gruevskit për rrënimin e atij rendi kushtetues do të krijojë pasoja negative, si për shoqërinë në përgjithësi ashtu edhe për partinë e tij politike”, thuhet në reagimin e LSDM-së.

Ndryshe deputetja e LSDM-së Ana Pavllova Daneva në emisionin e fundit ‘Rruga Drejt’ në ALSAT, tha se LSDM nuk do të merr pjesë në debat dhe nuk do të ndërhyj përmes amendamenteve për të ndryshuar propozim ligjin e ri për lustrim të përgatitur nga shumica parlamentare VMRO-DPMNE dhe BDI. 

Marrë nga Alsat m

Lajme të ngjashme

Back to top button