Për zane fmijsh na ka marrë malli
Në kullën e gurtë, në rrugën me tipare shqiptare të fshatit Martinaj, na pret Ujkani, një burrë nga viset e Malësisë së Shkodrës, por i veshur si vienez, e bashkë me të është edhe e shoqja e tij, një grua fisnike dhe mikëpritëse tipike shqiptare. Në oborrin e shndërruar në lulishte, pranë shkallëve – një tavolinë e mbuluar me një napë të bukur me katër karrige përreth, ku u ulëm, unë, prof. Abdullah Zymberi, Ujkani dhe e shoqja e tij, një bokall me lule, një shishe me verë, në mes të tavolinës e dy taketuke. Nga familja e Ujkanit në Martinaj janë vetëm ai me të shoqen. Fëmijët, nipa e mbesa janë në Amerikë dhe i kanë lënë Ujkanin me të shoqen vetëm.
Nuk kanë pasë çare, thotë Ujkani, krejt rinia e katundit kanë shkua, e punë ktu s’ka, s’ka jetë.
Gjithandej shpërndahet era e barit, kurse përballë, e lartë ngrihet bjeshka, faqes së të cilës, të kthyer kah kulla, dielli i fortë i jep ngjyrë berili . E zoja e shtëpisë ngrihet, ngjitet lehtë shkallëve të drunjta lart në kullë dhe pas pak kthehet me kafetë.
Urdhnoni! Mirë se na keni ardhë!
Nga bjeshka vazhdimisht vijnë valë-valë freski të këndshme dhe i lëvizin gjethet e dardhës me kurorë të madhe, kurse rrezet e diellit përvidhen atëherë dhe bien midis nesh, topa-topa, thuajse fëmijët lazdranë luajnë me pasqyra për të bërë shaka me ne. Për mua, era e lehtë dhe dritat lozonjare të diellit e plotësojnë dekorin e magjishëm që dora e njeriut dhe natyra e kanë bërë.
Epo, mirë keni ba qi keni ardhë me na vizitua. Falemnderit, thotë Ujkani.
Profesor Abdullahu, i cili e njihte me vite Ujkanin, ngushtohet ngase miku i tij i moçëm do të ketë menduar se kemi shkuar vetëm për një vizitë te ai, në kullën e tij, kurse qëllimi i shkuarjes sonë është të mbledhim këngë kapuçash a filxhanash. Prof. Abdullahu e mbledh veten me vështirësi dhe i drejtohet të zotit të shtëpisë:
O Ujkan, kësaj radhe kemi ardhur me punë…
Epo për gëzime, e ndërpret Ujkani prof. Abdullahun.
Nga bari, lulet e pemët dëgjohet kënga e zogjve të malit. Era vazhdon të na i përkëdhelë fytyrat. Ndërkaq fytyra e Ujkanit shkëlqen. Është gëzuar që i kemi shkuar në vizitë. Por neve ngushtica na shtrëngon ngapak nga droja se mos po duket se vizita jonë që i bëmë Ujkanit është më me pak peshë se mbledhja e këngëve.
Ujkan… thotë prof. Abdullahu.
Gëzuar! – e ndërpret Ujkani dhe i cakërron gotat me ne. Epo, mirë se ju ka pru zoti!
Mirë se ju gjetëm, ia kthejmë. Pastaj prof. Abdullahu i tregon se kësaj radhe kishim shkuar në Martinaj të vilnim këngë kapuçash, a filxhanash.
Kangë kapuçash, a? pyet Ujkani. Po si jo, bre! Qesh pak, ngase këto këngë janë sarkastike dhe në to nuk kursehen fjalët e ashtuquajtura të ndyta. Kangë kapuçash po, aq sa i kam mbajtë mend…
Qetësinë e këtij fshati të bukur rrëzë bjeshkës e stolisin fëshfërima e gjetheve të pemëve që lëvizin nga era e lehtë dhe kënga e zogjve të malit, të cilat, po them, u bënë orkestër kur Ujkani nisi t’i këndojë këngët e kapuçave. Por edhe një qetësi e paparë, të cilën e prishin vetëm zogjtë e malit me këngën e tyre
Pastaj e zoja e shtëpisë na qeras edhe me nga një kafe.
A po ju pëlqejnë kangët? më pyet me një buzëqeshje të çiltër Ujkani.
Shumë! i them unë. Jo vetëm këngët që na i falët ju, por edhe mikpritja… Edhe natyra. Veçanërisht kënga e zogjve të malit nga këto mrekulli natyrore. O, ta kisha pasur këtë këngë të zogjve, të më zgjonte në mëngjes!
Jemi ngi me kangën e zogjve, or mik, ma kthen Ujkani. Malli na ka marrë për zane fmijsh, për vaj fmije… thotë Ujkani, ndërsa të zojës së shtëpisë i rrjedhin lotët në heshtje. Sigurisht i evokon nipat e mbesat.
Si për inat, në ato çaste, shtohen zogjtë në lulishtë.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.