Shqipëri, 5 vatra zjarri në 24 orët e fundit

Gjatë 24 orëve të fundit janë konstatuar 5 vatra zjarri në pyje e kullota, transmeton Top Channel.

Specialistët e Emergjencave Civile janë duke mbajtur situatën në monitorim të vazhdueshëm në të gjithë vendin.

Qarku Tiranë

Në fshatin Zhuri, Njësia Administrative Ndroq, bashkia Tiranë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ullishte. Shërbimi vendor i MZSH Tiranë së bashku me banorët e zonës kanë shkuar në vendngjarje dhe pas një pune intensive kanë mundur të shuajnë zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 3 ha me shkurre dhe ferra.

Qarku Elbasan

Është riaktivizuar zjarri në sipërfaqe me shkurre dhe pyll ahu në Malin Babje, Njësia Administrative Qendër, bashkia Librazhd. Shërbimi vendor i MZSH të bashkisë Librazhd ka dërguar në vendngjarje 1 automjet zjarrfikës me personelin shoqërues dhe disa vullnetarë, të cilët për shkak të terrenit të vështirë kanë punuar me mjete rrethanore dhe më pas kanë shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe prej rreth 1 ha me shkurre e ferra dhe disa drurë ahu.

Qarku Vlorë

Në Pyllin e Sodës, pranë Petroliferës, në bashkinë Vlorë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Shërbimi i MZSH Vlorë ka shkuar në vendngjarje me të gjithë personelin dhe ka punuar për shuarjen e zjarrit. Jane dërguar gjithashtu 30 forca ushtarake për të shuar zjarrin. Në ndihmë ka shkuar edhe një ekip zjarrfikës nga MZSH Lushnjë, të cilët kanë ndihmuar zjarrfikësit e shërbimit vendor të MZSH Vlorë për të shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe e madhe me shkurre dhe disa pisha. Në fshatin Tërbaç të bashkisë Vlorë, ka rënë zjarr në vendin e quajtur Maja e Qorres. Shërbimi i MZSH Vlorë e ka pasur të pamundur për të vepruar për shkak të terrenit të thyer malor. Zjarri i favorizuar dhe nga era ka dalë nga krahu tjetër i malit në afërsi të Parkut Kombëtar të Llogorasë, bashkia Orikum. Nje helikopter është angazhuar në operacion për shuarjen e zjarrit.

Qarku Gjirokastër

Në fshatin Suk, bashkia Këlcyrë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe pyjore me lisa. Shërbimi i MZSH Këlcyrë së bashku me banorë të zonës dhe punonjës të bashkisë kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë punuar me mjete rrethanore për të shuar zjarrin. Pas një pune të gjatë zjarri është shuar. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 3 ha me shkurre dhe disa lisa.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button