Konflikt për kufirin detar

Policia kufitare në Sarandë ka marrë një takim me drejtuesit e anijeve të peshkimit, pas shqetësimeve që këta të fundit kanë përcjellë pak ditë më parë. 

Kryekomisar Kastriot Skënderaj shef i Komisariatit të Kufirit në Sarandë tha se ishte vënë në dijeni të  shqetësimeve të peshkatarëve, që janë akuzuar nga pala greke krejt papritur se po peshkojnë jashtë ujërave territoriale shqiptare dhe po merren masa për t’i mbështetur ata me çdo dokumentacion zyrtar që saktëson koordinatat e lundrimit në rast përballjeje me autoritetet greke.

“Unë në takimin që pata me peshkatarët, ju thashë se nëse do të ketë gjoba në ngarkim të tyre, unë ju kam thënë që do të vëmë në dispozicion gjithcka që ne kemi apo gjithçka që prodhohet në Qendrën e Kontrollit dhe Vëzhgimit Detar që është në Durrës. Ato do të shërbejnë si prova, për një konflikt gjyqësor që peshkatarët mund të hapin me shtetin grek, nëse do të ketë probleme të tilla të gjobave fiktive apo në distancë. Une mora përsipër që shumë shpejt të bëj një takim me palën greke dhe shqetësimet e tyre t’ua vë në dispozicion për zgjidhje palës greke”, thotë Kastriot Skenderaj, shef i Policisë Kufitare te Sarandës. 

Vetë peshkatarët kanë kërkuar prej kapitenerisë së Portit që t’i pajisë ata me harta detare të përditësuara.

Konflikti i lindur mes autoriteteve kufitare greke dhe peshkatarëve shqiptarë sipas autoriteteve të kufirit në Sarandë nuk mund të zgjidhet në nivel lokal pasi është një akt i pastër i mosmarrëveshjeve rreth kufirit detar dhe meriton të marrë zgjidhje në instanca më të larta të të dy vendeve. Ky skandal u denoncua nga Top Channel, ne rubriken “Shqipëria Tjetër”, të gazetarit Marin Mema.

Marrë nga: top-channel

Lajme të ngjashme

Back to top button