Ali Ahmeti dëshiron një rrugë më të shkurtër për në BE

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti sot u takua me  ambasadorin e Unionit Evropian në Maqedoni, Aivo Orav. Gjatë këtij takimi, ndër tjerash, Kryetari i BDI-së theksoi se sukseset e Republikës së Maqedonisë janë të përbashkëta me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare dhe se edhe këtë rrugë të shkurtër që na ka mbetur për të hyrë në BE, duhet ta kalojmë së bashku.

Lideri i BDI-së tha se Unioni Evropian vazhdon të mbetet prioriteti kryesor i Bashkimit Demokratik për Integrim por edhe i Qeverisë e RM-së në përgjithësi, ndërkohë që janë angazhuar maksimalisht të gjitha resurset për plotësimin e kritereve të vendosura nga ana e Unionit Evropian.

Duke shfaqur respekt për vendimin e BE-së që Maqedonia të fillojë me bisedimet substanciale me Brukselin, me çka nuk harxhohet aspak kohë për realizimin e reformave dhe plotësimin e kritereve të nevojshme për anëtarësimin e Maqedonisë në BE, Ahmeti tha se ky hap i rëndësishëm duhet të shërbejë si model edhe për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO.

Gjegjësisht, nëpërmjet një zgjidhjeje të përkohshme, procesi për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO të fillojë me një ftesë zyrtare për anëtarësim dhe më vonë të vazhdojë me ratifikim të protokollit për anëtarësim nga ana e parlamenteve të vendeve anëtare të NATO-s, deri te arritja e një zgjidhjeje përfundimtare për çështjen e emrit. 

Ambasadori Orav theksoi se në interes të Unionit Evropian është që kandidatët për anëtarësim në BE të bëhen anëtarë fuqiplotë të BE-së dhe se detyra e tij është që Maqedonia sa më shpejtë të marrë datën për fillimin e negociatave./portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button