Maqedoni: Kërkohet rritje e cilësisë së shërbimeve në administratë

Maqedonia përballet me një administratë shumë të ngarkuar, ndërkohë që qytetarët ankohen se shërbimet e administratës në institucionet vendore, por edhe ato në nivelin qendror, nuk janë cilësore, shkruan REL.

Sindikatat që përfaqësojnë punonjësit në administratë, thonë se nevojitet një debat i gjerë, ku do të përfshihen ekspertë e kësaj fushe, administratorët, por edhe qytetarët, me qëllim që të arrihet deri tek një zgjidhje, e cila do të kënaq të gjitha palët.

Sekretari i përgjithshëm i sindikatës që përfaqëson punëtorët në administratë, Tërpe Dejanovski përshëndet vendimin e Qeverisë që duke filluar nga 1 shtatori, orari i punës së administratorëve të jetë më fleksibil, që do të thotë punëtorët në administratë vetë të vendosin se do të fillojnë punën nga ora 7 e 30 apo 8 e 30 minuta, siç është aktualisht. Megjithatë, ai shton se nevojitet një debat i gjerë për aplikimin e orareve me dy ndërrime në disa institucione.

Në bazë të informacioneve që kemi marrë nga Ministria e Shoqërisë Informative, puna në dy turne për punëtorët e administratës do të aplikohet vetëm për ato shërbime për të cilat kanë nevojë qytetarët, siç është kadastra, kompletimi i dokumenteve personale, drejtoria e të hyrave publike etj. Megjithëse, për këtë çështje do ishte më mirë të hapet një debat më i gjerë, se a duhet të punohet me turne ose të punohet vetëm gjatë të shtunës së fillimit të muajit, që ata qytetarë, të cilët janë të punësuar, të mund t’i kryejnë punët në institucionet e pushtetit vendor ose në atë qendror, jashtë orarit të punës”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Tërpe Dejanovski, sekretar i përgjithshëm i sindikatës që përfaqëson punëtorët në administratë.

Por ekspertë në këtë lëmi thonë se problemi i orarit të shërbyesve në administratë paraqet vetëm majën e “ajsbergut”, sepse, siç theksojnë ata, për të pasur një administratë e cila do t’i ofrojë shërbime cilësore qytetarëve, në Maqedoni duhet të investohet në specializimin e administratorëve.

Çështja është se sa do të ketë Maqedonia si shtet kapacitete institucionale, dhe burime njerëzore, të cilat do të jenë në gjendje, në këtë fazë të realizmit të reformave në administratë të përmbushin këto standarde”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Besa Kadriu nga Fakulteti i Administratës Publike, që është në kuadër të Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë.

“Në këtë fazë, mendoj se është e nevojshme të implementohen dhe strategji të tjera, në kuadër të institucioneve përgjegjëse, të cilat janë kompetente për sferën e shërbimeve publike”, thotë Kadriu, duke shtuar se duhet që të nisë ngritja në karrierë e punonjësve të administratës, në bazë të sistemit të meritokracisë.

Kadriu po ashtu mendon se duhet të fillojë llogaridhënia për punën e shërbyesve të administratës, pasi sipas saj, vetëm kështu qytetarët e Maqedonisë do të ndjejnë se po iu ofrohen shërbime më cilësore.

Ministri i Shoqërisë Informative, Dejan Manceski ka bërë të ditur se Qeveria e Maqedonisë ka vendosur të aplikojë masën për orari fleksibil të punëtorëve në administratë, pas një varg konsultash me qytetarët dhe me përfaqësuesit e sektorit joqeveritar dhe sindikatave.

Kjo është një nga masat të cilat Qeveria do t’i ndërmarrë në drejtim të mundësimit të kushteve më të mira për të punësuarit në administratën publike. Gjithashtu, me këtë masë dëshirojmë t’u dalim në ndihmë edhe prindërve të cilët fillojnë punën në orare të ndryshme të punës. Presim që kjo masë të kontribuojë drejt uljes së tollovive në komunikacion, posaçërisht në qytetet e mëdha para fillimit dhe pas përfundimit të orarit të punës”, ka theksuar ministri Damjan Mançevski.

Ndërkohë që përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare në vazhdimësi kanë theksuar nevojën e rritjes së cilësisë së shërbimeve administrative për qytetarët, duke nënvizuar se Maqedonisë i duhet një numër shumë më i vogël i punëtorëve në administratë, por të cilët do të jenë të aftë tu përgjigjen kërkesave të qytetarëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button