Aksionet e Top-Channel, Gjykata e Apelit i jep pronësinë Vjollca Hoxhës
Pas 1 viti proces gjyqësor, pronësia e aksioneve të televizionit Top-Channel i kalon Vjollca Hoxhës dhe fëmijëve të saj si trashëgimtarë të të ndjerit Dritan Hoxha.
Ky vendim është dhënë më 21 qershor në Gjykatën e Apelit, ndërsa ende nuk është zbardhur i argumentuar.
Report Tv ka mësuar nga burime pranë Gjykatës së Apelit se më 21 qershor pas 6 seancash, Apeli ka vendosur të pranojë padinë e trashëgimtarëve të të ndjerit Dritan Hoxha duke i njohur atyre pronësinë mbi aksionet e televizionit.
Kjo padi me objekt njohje pronar i është pranuar paditëses Vjollca Hoxha dhe fëmijëve të saj Lorela Hoxha, Sara Hoxha, Redia Hoxha, Itan Hoxha kundër të paditurve Albert Sino, Aurel Baci, ish-shokët e Dritan Hoxhës dhe ish- staf i Top-Channel. Albert Sino dhe Aurel Baçi kanë pasur në pronësi 60% të aksioneve të Top-Channel ndërsa me këtë vendim të Gjykatës së Apelit këto aksione kalojnë në favor të familjarëve të Dritan Hoxhës.
Ky vendim i Apelit i cili është i ekzekutueshëm, pritet që të ankimohet në Gjykatën e Lartë me rekurs nga Albert Sino dhe Aurel Baçi./Report TV