Conte shkakton ankth te Juve: S’e di nëse qëndroj

Nuk mund të vazhdojë gjatë festa te Juventusi për titullin sepse Antonio Conte ka shkaktuar ankth tek të gjithë me refuzimin që i bën konfirmimit të së ardhmes.

“E kam thënë gjithmonë që sapo situata të qetësohet do të bëjmë vlerësimet bashkë me presidentin Agnelli dhe Marottan. Cfarë kemi bërë në Itali nuk mund të përmirësohet më tej, ndërsa në Europë rruga jonë ka qënë e mirë. A do të qëndroj? Nuk mund të konfirmoj asgjë, të shohim. Vlerësimet do të bëhen me shoqërinë në interes të Juventusit”.

Titullin e parë, Conte e ka pagëzuar me emrin rilindje, të dytin si konfirmim, por cili është emri i duhur sipas tij për të tretin radhazi?

“Mendoj se historik është përkufizimi i duhur për këtë titull. Në këto sezone kemi fituar 3 trofe në Serinë A dhe 2 Superkupa, duke grumbulluar, në mos gaboj, 267 pikë në total. Besoj se Juventusi nuk mund të kishte arritur më shumë në këto 3 vjet”, tha Conte, transmeton Supersport.

I revoltuar nga komentet për Juventusin e futbollit europian, kjo është përgjigja që trajneri i bardhezinjve ka për të gjithë kritikët.

“Kam lexuar e dëgjuar vazhdimisht komentet e analistëve. Arritëm në gjysmëfinale të një kompeticioni europian dhe kjo shikohet si katastrofë. Juve nuk mund të bëjë më shumë se kaq. Nëse do të vijë dikush tjetër dhe do t’ia dalë, sigurisht që do të ketë komplimentet e mia”.

Lajme të ngjashme

Back to top button