Temperaturat e larta, avionët nuk mund të fluturojnë

Ndërsa temperaturat rriten në Feniks të Arizonës, më shumë se 40 fluturime janë anuluar sepse ishte shumë nxehtë për avionët.

Parashikuesit e motit thonë se temperaturat në qytet mund të arrijnë të martën deri në 49 gradë celsius. E kjo është më e lartë se temperaturat operative të disa avionëve. “American Airlines” ka lajmëruar se ka anuluar dhjetëra fluturime të parashikuara të niseshin nga aeroporti “Sky Harbor”, gjatë pjesës më të nxehtë të ditës, transmeton Top Channel.

Televizionet lokale thanë se anulimet kanë prekur më së shumti fluturimet rajonale me avionë të vegjël që kanë temperatura operative maksimale prej 48 gradësh. Rekordi i të gjitha kohërave për temperaturat në feniks, është vetëm një gradë më i lartë, 50, regjistruar kjo më 26 qershor 1990.

Siç shpjegojnë ekspertët, në temperatura të larta, ajri ka dendësi më të ulët. Kjo dendësi e ulët e ajrit redukton forcën ngritëse që gjenerohet në krahët e avionit, një parim kyç ky në aeronautikë. Në këmbim, motorët e avionit duhet të gjenerojnë më shumë fuqi për të fluturuar.

Pikërisht kjo është edhe arsyeja përse shumë vende në lindjen e mesme dhe disa aeroporte në lartësi të mëdha në Amerikën e Jugut, i planifikojnë fluturimet afatgjata për në mbrëmje ose gjatë natës, kur është edhe më fresk.

Avionë të mëdhenj si “Boeing 747” apo modelet “Airbus”, kanë temperaturë operative më të lartë dhe nuk janë prekur nga i nxehti në Feniks. Sidoqoftë, temperatura prej 49 gradësh celsius, është parashikuar për hapësirën që njihet si “Përroi i furrnaltës”, në “Luginën e vdekjes” në Kaliforni, me disa zona që presin temperatura të reja rekord të martën. Shërbimi i parqeve kombëtare ka paralajmëruar vizitorët të evitojnë ecjet në natyre pas orës 10 të mëngjesit dhe të udhëtojnë të përgatitur për mbijetesë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button