Kush është më afër titullit në Spanjë

Një La Liga e çmendur, e mrekullueshme, që kur mbeten edhe dy javë nga fundi, (3 për Realin e Madridit) ka ende 3 fitues të mundshëm pavarësisht stërkëmbëshave që pësuan në javën e 36 si Atletiko ashtu dhe Reali e Barcelona. Favorit për titullin gjithsesi mbeten Los Colchoneros. 

Në kuotën e 88 pikëve në krye të klasifikimit, skuadra e Diego Simeones ka në dorë fatin e saj pasi i mjaftojnë 4 pikë në dy takimet e mbetura. Atletikos i mjafton të fitojë në shtëpi me Malagan në takimin e ardhshëm dhe të mos humbasë me Barcelonën në Camp Nou në takimin e fundit, kjo pasi nëse e mbyll kampionatin në kuotë të barabartë pikësh 92 me Realin e Madridit, përballjet e drejtpërdrejta favorizojnë Atleticon. Barcelona ndjek në kuotën e 85 pikëve dhe natyrisht që goli i Lafitas në minutën e 82 me Getafen i ka bërë shumë dëm. Pa atë gol fati do të kthehej në duart e blaugranave të cilët tani , sidomos pas golit të barazimit 2-2 të Ronaldos kundër Valencias, kanë pak shanse për ta mbyllur me triumf sezonin. Barcelona duhet të fitojë në shtëpinë e Elches që ende nuk e ka siguruar matematikisht mbijetesën, dhe të mposhtë Atletikon e Madridit në shtëpi në takimin e fundit, mision ky që nuk ja ka dalë ta realizojë anjëherë këtë sezon. Por edhe këto fitore mund të mos i mjaftojnë pasi nëse Reali bën 9 pikë do ta mbyllte kampionatin para katalanasve. 

Reali i Madridit renditet i treti në kuotën e 83 pikëve, por me një ndeshje më shumë në dispozicion se rivalët. Anceloti duhet të përshkojë një rrugë pa gabime, të mërkurën në takimin që duhet të rikuperojë në transfertë ndaj Valladolidit, që është në nevojë të dëshpëruar për pikët e mbijetesës, në takimin e pasardhës në fushën e Celta Vigos së drejtuar nga Luis Enrique që ka Barcelonën në zemër e ndoshta dhe në të ardhmen e tij profesionale, si dhe në takimin e javës së fundit në shtëpi me Espanyolin që në Katalunjë rivalizon blaugranat, por të gjithë këto mund të mos i mjaftojnë, pasi Atletiko me 4 pikë shpallet kampion. / supersport.al

Lajme të ngjashme

Back to top button