Dështimi i demokracisë

Demokracia është formë e qeverisjes në të cilën të gjithë qytetarët kanë të drejtë vote dhe pjesëmarrje të barabartë në vendimmarrje, në mënyrë direkte ose indirekte, në propozimin, zhvillimin dhe krijimin e ligjeve. Si formë qeverisjeje është ndër më të vjetrat, ndoshta më e vjetra pas autoritarizmit. E krijuar dhe e realizuar si ide për herë të parë në Greqi para më shumë se 2500 vjetësh, ka munguar në pjesën më të madhe të historisë së civilizuar. Ç’është e vërteta, demokracia athiniane e para 2500 vjetëve nuk është se u tregua për së tepërmi e suksesshme në mënyrën e vet të veprimit, sidomos në efektivitetin e vet në vendimmarrje. Njejtë si sot, edhe atëherë ishte një grup i vogël njerëzish që të pushtetuar me votën e të tjerëve vepronin në të mirën e pakicës: mbronin interesat e të fuqishmëve në kurriz të shumicës, promovonin interesat dhe qëllimet e të pasurve në dëm të idealit të demokracisë. Aspak e çuditshme që inefikasiteti dhe korrupcioni ishin pjesë e këtij sistemi, aspak më ndryshe nga sistemi antagonik autokrat. 

Demokracia ka gabimet dhe mangësitë e veta si sistem, sepse vetë njerëzit kanë gabimet dhe mangësitë e veta. Demokracitë reprezentative shpeshherë janë joefikase dhe dembele, sepse njerëzit të cilëve ju besohet vota e zgjedhësve për të çuar përpara politikat progresive të një vendi kaplohen nga plogështia që të garanton mandati i garantuar 4 vje¬çar. Prandaj në parim nuk më duket shumë e gabueshme praktika e pranuar nga Maqedonia për të shpeshtuar zgjedhjet. E vetmja gjë që i mungon demokracisë së këtij vendi është rotacioni i partive politike në pushtet dhe kalimi i pushtetit nga njëra parti tek tjetra. Në këtë mënyrë do të mund të sigurohej që plogështia të mos jetë pjesë e politikës së përditshme. 

“Asgjë nuk është më e mrekullueshme se arti i të qenit i lirë, por asgjë nuk është më e vështirë se të mësohet se si të shfrytëzohet kjo liri”. Mësimi më i vështirë për këtë popull është të mësojë të zbulojë se ku qëndron potenciali dhe e vërteta tek secili prej liderëve kandidatë. Demokracia jep përshtypjen e të qenurit më e dobët nga çka është në realitet: është konfuze në sipërfaqe, por ka shumë fuqi të fshehur përbrenda. Aftësia për të zgjedhur liderë alternativë që ofrojnë politika alternative I bën demokracitë më të mira sesa autokracitë në formën dhe mënyrën për të gjetur zgjidhje kreative të problemeve dhe sfidave ekzistenciale, megjithëse demokracisë I duhet kohë për të dribluar deri tek politikat e duhura. Por për të patur sukses, ato duhet të sigurohen që qëndrojnë në themele të qëndrueshme.

Krijuesit e demokracisë moderne e shohin atë si një mekanizëm të fuqishëm por joperfekt: diçka që duhet dizajnuar me kujdes, për të marrë maksimumin nga kreativiteti njerëzor në të njejtën kohë duke u rruajtur nga perverziteti njerëzor, e pastaj duke u përmirësuar dhe duke u rirregulluar dhe adaptuar në bazë të nevojave. Demokracitë e reja më të suksesshmë në botë kanë funkcionuar vetëm për arsyen se i kanë ikur nocionit në majorizimit, nocionit sipas të cilit fitorja në zgjedhje i jep të drejtë një force politike të bëjë çka të dojë. Ato kanë vendosur kufij deri ku mund të arrijë fuqia e tyre. Shenjat e para që një demokraci e brishtë po shkon drejt dështimit vijnë kur liderët e zgjedhur arrijnë të realizojnë përpjekjet për zhdukjen e kufizimeve kushtetuese mbi fuqinë e tyre.

Kjo ka ndodhur në vendin tonë shumë kohë më parë. Dominimi i dy partive politike më të mëdha kombëtare në zgjedhjet e fundit u jep atyre forcë akoma më të madhe për të zbatuar dhe implementuar pushtet të plotë dhe të gjithëfuqishëm në të gjitha sektorët e jetës. Ajo që është më shqetësuese është dominimi i tyre në mendjen e njerëzve, të cilët duket se kanë harruar si është të mendosh pavarësisht “qitapit” partiak, kanë harruar se kritika është ajo që vë në lëvizje një sistem për ta bërë më të mirë. 

Krijimi i mendjes kritike nuk është e lehtë, aq më pak e dëshirueshme për liderë autokratë që i frikësohen kreativitetit të individit. Shoqëria jonë shkatërrohet sa vjen e më shumë nga një shpërlarje truri dhe supresioni të mendjes së lirë dhe kreative nëpërmjet institucioneve që duhet të krijojnë mendim të lirë dhe kreativ. Në një sistem të vërtetë demokratik, është individi ai që bart peshën më të madhe të zhvillimit, sepse fuqia e vërtetë e një sistemi qëndron jo në përsosmërinë e vetë sistemit, por në fuqinë e secilit individ që është pjesë e këtij sistemi dhe që luan rol individual në krijimin e një demokracie më të fuqishme. Zgjedhja e secilit prej nesh duhet të përmbajë në vete kërkesë drejtuar përfaqësuesve për një të ardhme më mirë për të gjithë ne dhe për fëmijët tanë. Ndërkaq zgjidhje e secilit prej nesh duhet të jetë të zhvillojë përbrenda fushës së vet të ndikimit frymën e lirisë së mendimit dhe fuqizimit të kreativitetit. Votimet mbaruan, por me këtë jo edhe zgjedhjet tona…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button