Rama: Shteti nuk do t’ju vijë në shtëpi për t’ju punësuar!

Teksa kryeministri Edi Rama mbante një fjalim për punësimin në Pallatin e Kongreve ku është çelur një panair pikërisht për këtë qëllim, dhjetëra persona të shkarkuar nga administrata muajt e fundit tentuan të hyjnë me forcë në këtë ambient. 

Kryeministri e vazhdoi fjalën pa u shqetësuar, duke shpalosur atë që ai e quan strategji punësimi. Ai i dha edhe përgjigje një zonje të shkarkuar nga administrata.

 “Dëgjova një zonjë që tha ne jemi intelektualë. Unë besoj se 100 vende pune që ofrohen këtu janë për intelektualët dhe jo fshesarët, pavarësisht se cështja e intelektualitetit është çështje tjetër. 100 vende pune nga kompanitë celulare, sigurimeve janë për intelektualët”, u shpreh.

Një fond prej rreth 2 milionë e gjysmë dollarë është vënë në dispozicion për këtë çështje. Sipas kryeministrit, 70% e këtij fondi do të shkojë për të rinjtë, ndërsa pjesa tjetër e mbetur do të shkojë për punësimin e grave dhe vajzave. “Në këtë panair ka punë për të gjithë. Edhe për ata me shkollë të lartë dhe të kualifikuar. Ata nuk duhet të presin që qeveria t’u shkojë në shpi dhe t’i punësojë”, tha ai.

Kreu i qeverisë u shpreh se po negociohet për të mundësuar praktikën për të sapodiplomuarit. “Praktika profesionale për të rinjtë e sapo diplomuar. Kjo do të ndihmojë në integrimin e tyre në tregun e punës njësoj si vëllezërit dhe motrat e Bashkimit Evropian”, shtoi.

Kryeministri bëri me dije se janë gjithsej rreth 25 mijë vende pune të reja të regjistruara.

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj tha se qeveria i është përgjigjur me transparencë kërkesës së biznesit për ta ulur nga 30 në 10 ditë kthimin e përgjigjes për ato kompani që aplikojnë për të përfituar nga ky fond.

“Jo vetëm që gjërat kanë ndryshuar shumë në 6 muaj, por statistikat e Institutit të Sigurimeve Shoqërore tregojnë se nga tetori i vitit të kaluar e deri në fund të prillit, janë 25 mijë të siguruar dhe vende të reja pune”, tha z. Veliaj.

Ai nënvizoi se Panairi i Punësimit 2014 ofron 6 mijë vende të reja pune.

“Dua t’iu kujtoj se në 1 majin e katër viteve më parë opozita bënte grevë urie në bulevard, kurse qeveria shpenzonte 500 mijë euro për koncerte dhe pikniqe si kundërpërgjigje ndaj opozitës. Ndërsa, sot ne kemi ngritur një panair pune për qytetarët”.

“Vendet e punës që ofrohen në panair janë të shumëllojshme, duke filluar nga inxhinierë për kompanitë e infrastrukturës, në industrinë e komunikimit, për mjekë dhe infermierë në spitalet private, për kimistë ushqimorë, e për shumë kompani të tjera që ofrojnë ‘Made in Albania’.

Ndërsa, për ata që nuk e kanë ende arsimin e nevojshëm, kompanitë fasone dhe të telekomunikacionit janë ideale”, u shpreh ministri Veliaj.

Ai tha se me paketën e re të fasoneve, është aprovuar edhe një fond tjetër prej 5 milion dollarë nga tatimi i fitimit që do t’i rikthehet industrisë për vende të tjera pune.

Ai kujtoi se një ditë më parë, qeveria miratoi programin për punësimin e personave me aftësi të kufizuara, sipas të cilit nga fondi i nxitjes së punësimit mbulohet paga e plotë për 6 muajt e parë, dhe gjysma e pagës për 6 muajt e dytë të vitit. Nga ana tjetër, çdo kompani që punëson një person me aftësi të kufizuara përfiton një shumë nga 1 deri në 2 milion lekë, për të krijuar aksesin e nevojshëm në vendin e punës për njerëzit e kësaj kategorie. /Start/

Lajme të ngjashme

Back to top button