Gruevski zgjodhi BDI-në, PDSH jashtë loje?

Pas takimit të liderit të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski me dy liderët shqiptar atë të BDI-së, Ali Ahmeti dhe atë të PDSH-së, Menduh Thaçi, të dy palët shqiptare thanë që kanë biseduar për formimin e Qeverisë së ardhshme.

Ajo që bie në sy është se Bashkimi Demokratik për Integrim lëshoi kumtesë zyrtare partiake duke theksuar se tani më janë marrë vesh për grupe negociatorësh, për të dalë më vonë edhe me lajmin se cilët janë personat e kësaj partie që do të jenë në grupin e negociatorëve. Sipas mediave maqedonase nga VMRO me gjasë negociator do të jetë sekretari gjeneral i kësaj partie Emil Dimitriev por nuk kanë më shumë informata nëse në ekip do të përfshihen edhe personat më të besueshëm të Gruevskit, Sasho Mijallkov, Gordana Jankullovska, Nikolla Todorov, Vlladimir Peshevski dhe Zoran Stavreski.
LEXO: Edhe  Ahmeti takohet me Gruevskin, biseduan për formim të Qeverisë
LEXO: BDI formoi grupin punues që do të udhëheq negociatat me VMRO-në për Qeverinë e re

Nga ana tjetër, për takimin e Menduh Thaçit me Gruevskin askush nga PDSH nuk informoi por u mor vesh nga një portal i afërt me të, ndërsa Thaçi mes tjerash thotë që ‘PDSH-ja ta përkrah Qeverinë e ardhshme të Maqedonisë pa marrë parasysh a do të jetë pjesë e saj a jo’. LEXO: Thaçi dhe Gruevski sot pasdite kanë biseduar për formimin e Qeverisë

Mbetet e paqartë se për çfarë biseduan dy liderët që Thaçi ta ndryshojë sërish qëndrimin e tij, nga trumbetimi parazgjedhor se ai do të jetë në Qeveri madje edhe me një deputet, në të lartpërmendurin se mund edhe të mos jetë pjesë e qeverisë.

Për analistët, e gjithë kjo është një lojë politike e servuar mirë nga VMRO-ja e cila tani është e sigurte në shumicën e deputetëve dhe dëshiron ta shtyp avazin e BDI-së e cila gjithashtu mori numër të madh të deputetëve, duke përdorur PDSH-në si ‘objekt frikësimi’. Realisht, sipas tyre, pavarësisht a ishin a jo zgjedhjet demokratike dhe të lira, Thaçi është pajtuar që ka 7 deputetë ndërsa me kaq elektorat, nuk mund ti kundërvihet BDI-së. Ndërsa, nëse Gruevski megjithatë vendos ta përfshijë edhe Thaçin, kjo do të shkaktojë probleme më të mëdha se në vitin 2006, gjë që Gruevski nuk do ta kishte përballuar, duke e pasur parasysh edhe presionin e ndërkombëtarëve.

“Në këtë situatë Gruevski me gjithë ato vota që i ka kërcënon Ahmetin se munden edhe pa të se Thaçi është i gatshëm të hyjë në Qeveri që do të thotë se drejtpërdrejt do të bëhet fjalë për uljen e kërkesave të BDI-së. Gruevski përsëri pozicionohet se platforma e VMRO është fituese dhe kush dëshiron  mund t’i bashkëngjitet, atëherë koalicionimi do të jetë i rëndë dhe i krizave, me një fjalë Gruevski në këtë rast dëshiron të ulë pazarin e vlerave të partive shqiptare dhe kërcënon njërën parti me tjetrën. Gruevski në këtë mënyrë dëshiron të suspendojë logjikën politike duke ofruar mundësinë që të koalicionit edhe me humbësin e zgjedhjeve parlamentare PDSH” thotë për Portalb, Alajdin Demiri.

“BDI doli aq e fuqishme nga zgjedhjet sa as Zoti nuk mund t’i ndihmoj PDSH-së që të bëhet pjesë e qeverisë. Veç nga ajo që BDI e futi në borxh VMRO-në për ndihmën tejet direkte që ajo ia dha kësaj partie përmes bojkotit të zgjedhjes së presidentit, një servil apo një hije e kryeministrit. Çdo injorim eventual i kësaj partie sigurisht se do të çoj në shkatërrim të sigurt të regjimit të Gruevskit.” thotë Mersel Bilalli. 

Njëkohësisht, BDI dhe Ali Ahmeti e kanë thënë troç se nuk pajtohet të jetë në një Qeveri me Menduh Thaçin, ndërsa dukshëm Thaçit nuk do i pengonte të jetë me BDI-në në një Qeveri.

Gjithashtu sipas analistëve, në gjithë këtë rrëmujë politike, nuk duhet neglizhuar roli i opozitës maqedonase LSDM e cila vendosi ti kthejë mandatet për deputet. Këtë Gruevski e quajti ‘dëm për Maqedoninë’ që sipas Billait është një grusht i madh për të.

“LSDM nuk pranon mandatet, që në këso gjendje të ngushtë paraqet grusht të madh për pushtetin, jo vetëm për shkak të zbehjes së legjitimitetit të zgjedhjeve, por edhe për shkak të vendimeve politike tejet të vështira që do të duhet të merren muajve të ardhshëm. Emri domosdo duhet të zgjidhet. Pasojat nga ky “infarkt” vështirë se do të mund t’i amortizojnë as televizionet gebelsiste – MTV, Sitel, Kanal 5, Alfa, të cilat vite me radhë merren me produksion të mashtrimeve dhe të maskave të rrejshme. Kështu që mospranimi i mandateve nga ana e opozitës, do të jetë një gur i madh shtesë në qafën e Gruevskit.” thotë Bilalli.

Sipas analistëve, lojërat politike dhe amullia do të vazhdojë gjatë tërë muajit maj përderisa të afrohen afatet e krijimit të Qeverisë së re kur dhe duhet të qartësohen pozitat e partive politike. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button