DASH: Kosova me progres në masat kundër-terrorizëm

“Qeveria e Kosovës ka vazhduar të bashkëpunojë me Shtetet e Bashkuara në çështjet kundër terrorizmit dhe ka demonstruar progres”, thuhet në raportin mbi luftën kundër terrorizmit të Qeverisë amerikane për vitin 2013. Në kuadër të këtij progresi përmenden ndryshimet në legjislacion, përfshirë Kodin e ri të Procedurës Penale që i mundëson autoriteteve të Kosovës fleksibilitet më të madh për të hetuar dhe parandaluar aktet terroriste që në fazën e planifikimit.

200 të dyshuar për terrorizëm

Më tej thuhet se Policia, Autoriteti Doganor dhe Policia Kufitare e Kosovës kanë pas trajnim të mjaftueshëm ndërsa prokurorët trajnim minimal në ndjekjen e rasteve të terrorizmit.

“Policia Kufitare e Kosovës monitoron hyrjet dhe daljet në të gjitha pikat kufitare, përfshirë aeroportin nëpërmjet Sistemit të Menaxhimit të Kufirit. Policia Kufitare ka ndihmuar Drejtorinë Kundër Terrorizmit në ndjekjen e të dyshuarve për aktivitete terroriste, përfshirë edhe pesë nga shtatë të arrestuarit në nëntor 2013, të cilët ishin në listën e sistemit kufitar të përcjelljes, listë e cila përmban rreth 200 persona që konsiderohen të dyshuar për terrorizëm”, thekson raporti.

Planifikim sulmesh terroriste në Kosovë

Më tej flitet edhe për arrestimin e shtatë personave në Prishtinë dhe Gjilan të akuzuar për planifikim sulmesh terroriste në Kosovë, dy prej të cilëve besohet se kanë marrë pjesë në luftë në Siri. Dy të tjerë janë të dyshuar për sulm kundër dy misionarëve amerikanë të Kishës Mormone, ndërsa katër të dyshuar janë arrestuar se u përpoqën të blejnë armë nga agjentë policor dhe në shtëpitë e tyre u gjetën armë dhe eksploziv.

“Drejtoria Kundër Terrorizmit ka hapur 10 raste, shumica ishin për vepra të lidhura me terrorizmin dhe një me përgatitjen e një akti terrorist. Në dy raste është ngritur procedurë penale kundër gjashtë personave dhe është ndihmuar në gjashtë raste një vend i Bashkimit Evropian”, thuhet në raport ku vlerësohet shkëmbimi i informacionit me vendet e tjera dhe me autoritetet amerikane.

Pa monitorim mbi OJQ-të që marrin para nga jashtë

Sa i përket luftës kundër financimit të terrorizmit, në raport thuhet se Kosova ende nuk ka një sistem të përshtatshëm regjistrimi dhe monitorimi për të ndjekur Organizatat joqeveritare që marrin mjete financiare nga subjekte të dyshimta.

“Bllokimi i anëtarësimit të Kosovës në organizata rajonale dhe ndërkombëtare, pengon bashkëpunimin në shumë çështje, përfshirë edhe luftën kundër terrorizmit,” thekson raparti i Departamentit Amerikan të Shtetit. 

Lajme të ngjashme

Back to top button