Pacolli kërkon ndërtimin e hekurudhës Kosovë – Shqipëri

Krijimi i një tregu të madh Shqipëri-Kosovë dhe mirëmenaxhimi i burimeve natyrore konsiderohen nga zv.Kryeministri i Kosovës Behgjet Pacolli si mundësi për zhvillimin ekonomik të dy vendeve.

Gjatë punimeve të Forumit Ekonomik Shqipëri-Kosovë të mbajtur në Tiranë, Pacolli theksoi se bashkimi kombëtar nis nga ai ekonomik, ndaj dhe ne duhet të ndërtojmë tregun e madh Shqipëri-Kosovë. Ndërsa ka shprehur kritika në lidhje me mënyrën sesi janë trajtuar minierat, zv. Kryeministri i Kosovës theksoi se gjithçka është bërë në mungesë të një plani, shkruan sot gazeta Tema.

“Industria dhe energjia janë sektorë me rëndësi, por është bërë padrejtësi me veprimtaritë ekonomike”, theksoi Pacolli.

Në vijim të fjalës së tij, zv. Kryeministri i Kosovës vuri theksin në ndërtimin e hekurudhës mes Shqipërisë dhe Kosovës, sikundër ftoi operatorët ekonomike për krijimin e kompanive ajrore të trevave shqiptare, duke i realizuar fluturimet nga dy vendet tona drejt destinacioneve të tjera.

“Integrimi rajonal dhe Evropian është i rëndësishëm, por ne duhet të integrohemi në familjen tonë. Një gjë e rëndësishme është krijimi i parakushteve të veprimtarisë ekonomike në hapësirën gjithëshqiptare, dhe unë e vlerësoj. Po ashtu një gjë shumë e rëndësishme është lëvizja e lirë mes dy vendeve, por është shumë e rëndësishme, ashtu siç lëvizin qytetarët të lëvizin dhe mallrat dhe është mirë që të mos ketë dogana mes dy vendeve, pasi ata e ngurtësojnë aktivitetin. Dy qeveritë si në Kosovë dhe Shqipëri, kanë kuptuar mundësinë e një tregu të përbashjët dhe kontrata që hapi bashkëpunimin, ishte kontrata e bashkëpunimit energjitik mes dy vendeve, firmosur nga dy ministrave dhe uroj bashkëpunim më të gjerë”, tha Pacolli

Ministri i Energjisë Damian Gjiknuri vuri theksin në rritjen e bashkëpunimit në sektorin energjetik mes dy vendeve , duke shtuar se kjo do të arrihet edhe përmes rrjeteve të interkonjeksionit.

“Dy vendet tona kanë shumë për të ofruar dhe duhet të jenë një përsa i takon aspektit ekonomik. Duhet të krijojnë një vend, një treg të përbashkët ekonomik, ku do të krijohen mundësi më të mëdha për investime. Ne tashmë kemi filluar bashkëpunimin me sektorin energjetik dhe duke harmonizuar potencialet që kemi mes dy vendeve tona, do të krijojmë edhe rrjetet e interkonjeksionit. Ka ardhur momenti, që Shqipëria dhe Kosova të kenë projekte të përbashkëta në gjenerim. Duhet një harmonizim i politikave tona, dhe për këtë po punojmë”, tha ministri i Energjisë.

Sipas tij, Qeveria shqiptare po punon për përmirësimin e klimës së biznesit në vend, ndërsa shtoi se synohet tërheqja e investitorëve të huaj. Ai gjithashtu paralajmëroi se praktika e realizimit të kontratave do të ndryshojnë, duke ndjekur praktikat europianë për të rritur transparencës dhe për t’u arritur sipas konkurrimit të ndershëm.

“Qeveria shqiptare ka hyrë në një fazë të re sa i takon thithjes së investimeve të huaja. Po fokusohemi tek eficenca e shtetit shqiptar sa i takon lehtësirave për investimet. Ka një interes të shtuar për hidrokarburet në Shqipëri. Shpesh në vendin tonë kontratat e hidrokarbureve ka rënë në duar të gabuara, por ne nuk do lejojmë më këtë të ndodhë. Po marrim modelet dhe praktikat më të mira nga vendet evropiane, për të ftuar investitorët e huaj, sipas konkurrimit të hapur e të ndeshëm. Po punojmë për studimin e gazifikimit të Shqipërisë, si dhe po intensifikojmë marrëdhëniet me Azerbajxhanin. Zhvillimi i infrastrukturës së gazit do të sjellë mundësi të reja në ekonominë shqiptare”, tha Gjiknuri.

Gjatë Forumit, theksi u vu në rritjen e bashkëpunimit mes Shqipërisë e Kosovës në sektorin e energjisë e industrisë, gjë që synon edhe në thithjen e investitorëve të huaj. Sipas administratorit të Përgjithshëm të Konfindustria Gjergj Buxhuku, nevojitet një rritje e bashkëveprimit të punës së dy qeverive për menaxhimin e burimeve natyrore.

Buxhuku tha se “modeli ekonomik i zhvillimit të ekonomisë së Shqipërisë dhe Kosovës, duhet të bazohet tek pozicioni gjeografik, pasuritë natyrore dhe së treti krijimi i tregut të përbashkët, që shumëfishon mundësitë e zhvillimit dhe të tërheqjes së investitorëve të huaj”.

Lajme të ngjashme

Back to top button