Ramazan, abdesi dhe energjia e njeriut

Në gjuhën arabe fjala vudu’ (abdes) d.m.th. pastërti, qartësi dhe shkëlqesi.

Abdesi është çelës i xhenetit dhe për këtë i Dërguari i Allahut ka thënë: “Kush prej jush e plotëson abdesin dhe pas përfundimit thotë: “Dëshmoj që nuk ka zot tjetër pos Allahut dhe se Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Allahut”, do t’i hapen tetë dyer të xhenetit për të hyrë tek ajo që dëshiron.” (Ahmedi, Muslimi, Ebu Davudi, Nesaiu).

Allahu i Madhërishëm i ndihmon njerëzit, që nëpërmes abdesit të pastrohen nga mëkatet dhe të ngrihen në një shkallë më të lartë.

Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Pastërtia është gjysma e besimit!” (Muslimi).

Ja se si Islami tregon kujdes për marrjen e abdesit me rregull duke arritur me këtë pastrimin e jashtëm dhe të brendshëm të muslimanit

Ku qëndron fshehtësia e harmonisë në mes njeriut dhe botës?

Kjo është energjia shpirtërore e fesë, e energjisë së balancuar në formën më subtile. Frutat e kësaj energjie paraqiten qartë në trupin dhe në shpirtin e njeriut, sikurse na thotë Ibën Abasi radijallahu anhu: “Me të vërtetë vepra e mirë jep shkëlqim në fytyrë dhe zemër, rrit nafakën, fuqizon trupin dhe ndikon që të tjerët ta duan. Ndërsa vepra e keqe me të vërtetë shkakton nxirje dhe errësirë në fytyrë e zemër, e dobëson trupin, e zvogëlon nafakën dhe shkakton urrejtjen e njerëzve.”

Abdesi me të vërtetë i kthen fuqinë trupit të njeriut, i pastron mëkatet, sepse mëkatet dhe veprat e këqija ndikojnë në gjendjen psikofizike të njeriut, dhe kështu njeriu e humb fuqinë. Ilaç për këtë është abdesi.  Sikur njeriu të pastrohej me të gjitha mjetet për pastrim, por nuk do t’i kryente lëvizjet e parapara në rregullat e abdesit me të cilat Krijuesi i Urtë na ka urdhëruar, nuk do ta arrinim energjinë dhe harmoninë e merituar.

Shtrohet pyetja: A thua mëkatet lidhen me dorën, këmbën, fytyrën dhe veshin?

Është fakt që mëkatet lënë gjurmë të mëdha në meridianet nëpër të cilët rrjedh energjia vitale, si dhe në fushën vitale, e cila rrethon trupin e njeriut. Në realitet mëkatet e çrregullojnë fushën elektromagnetike, e cila pastaj reflektohet në shëndetin e njeriut.

Njeriu siç dihet paraqet një energji kimike dhe elektromagnetike. Kjo energji kuptohet si energji vitale e cila shndrit nga trupi ynë dhe quhet prana ose vital force. Sido që ta quajmë kjo energji paraqet diçka që realisht është e pranishme (Brecher, Secrets of Energy Work, Darling, Kindrsley).

Fryti i kësaj dashurie rrjedh nga fshehtësia e emrit të Allahut Hafidh (Ai që vigjilon gjithnjë mbi ne). Në të vërtetë Allahu e ruan njeriun me armë të jashtme dhe të brendshme, e kjo armë është abdesi.

Një abdes mbi tjetrin është sikurse një dritë mbi tjetrën. Për këtë Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem, kur nisej për namaz lexonte këtë lutje: “O Zoti im, më jep dritë në zemër, dritë në sy, dritë në vesh, dritë nga ana e djathtë, dritë nga ana e majtë, dritë mbi mua dhe dritë nën mua.” (Buhariu).

Nga DR. ALI ILJAZI

Burimi: http://radio-pendimi.com/webfaqe/abdesi-dhe-energjia-e-njeriut/

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko edhe
Close
Back to top button