Picabërësi më i mirë në botë, australian

Pica mund të jetë shpikur në Itali, por gara e përvitshme e vendit për picën më të mirë në botë është fituar nga një kuzhinier australian. Campionato Mondiale Della Pizza, apo Kampionati Botëror i Picës, e ka nxjerrë fitues kuzhinierin Johnny Di Francesco për picën e tij margarita.

Di Francesco, pronar i restorantit “400 Gradi” në Melburn, ka thënë se tani planifikon të hapë një restorant të dytë pas fitores së tij. Dhe, përderisa restorantit të tij i është shtuar puna në ditët pas fitores së tij, Di Francesco thotë se nuk do të rrisë çmimin aktual prej 19.30 dollarë të picës së tij.

Megjithatë, ai nuk do të shkojë vitin e ardhshëm në Itali për të mbrojtur titullin e tij. “Unë nuk kam të drejtë të garoj më në Australi, dhe kur të fitosh njëherë në Parma, nuk është mirë që të konkurrosh prapë”, ka thënë Di Francesco, 36-vjeçar, pas fitores së tij. “Ata kanë dëshirë që t’i kenë fituesit në jurinë e tyre vlerësuese, kështu që një gjë të tillë mund ta shqyrtoj”, ka shtuar ai.

Ai nuk ka mposhtur vetëm italianët në garën për titullin e picabërësit më të mirë në botë. CNN ka raportuar se Di Francesco ka mundur mbi 600 kuzhinierë nga 35 vende të botës për të çuar titullin në Australi. “Ka qenë diçka e mrekullueshme. Sinqerisht, unë kam shkuar në Napoli për të bërë atë që më pëlqen. Unë nuk kam menduar se do të shkaktoja aq shumë bujë”, ka thënë ai.

Lajme të ngjashme

Back to top button