“Anëtarësimi i Malit të Zi në NATO i rëndësishëm për tërë rajonin”

Në Budvë të Malit të Zi ka filluar Forumi i 7-të 2BS (To Be Secure) i titulluar si “Sfidat e ndryshimit të politikave dhe ridrejtimi i Aleancës”, ku do të diskutohet për sfidat dhe kërcënimet më të mëdha të sigurisë rajonale dhe ndërkombëtare në këtë dekadë. Në Forumin e këtij viti marrin pjesë zyrtarë të lartë nga rajoni si dhe mysafirë nga Evropa dhe Amerika, raporton Anadolu Agency (AA).

Fokusi në forumin e shtatë kryesisht do të përqendrohet në përcaktimin dhe ripërcaktimin e marrëdhënieve në linjën SHBA-NATO-Rusi. Në lidhje me këtë, theksi i veçantë do të jetë në ndikimin që këto marrëdhënie globale do të kenë në rajon.

Kryeministri malazez Dushko Markoviç, duke folur në hapje, tha se fundi i Luftës së Ftohtë dhe intensifikimi i procesit të bashkimit të Evropës nuk ka sjellë ndërprerjen e kërcënimit të luftërave, por se hapësira Euro-Atlantike është përballur me kërcënime të reja dhe sfida, ku sidomos në këto rrethana, NATO është korniza më e mirë e sigurisë, ndërsa për Malin e Zi edhe një mundësi e madhe për zhvillim ekonomik.

“Formalisht më 5 qershor, presim dorëzimin e dokumentit tonë të ratifikuar nga Departamenti i Shtetit dhe nga ai moment Mali i Zi do të jetë anëtar i plotëfuqishëm i Aleancës më të fuqishme. Unë konsideroj se kjo është një ngjarje që sjellë më shumë paqe dhe stabilitet në vendin tonë, por edhe të gjithë Ballkanit”, tha Markoviç.

Ai ka thënë se anëtarësimi i Malit të Zi në NATO nuk nënkupton vetëm stabilitet për Malin e Zi, por edhe për të gjithë rajonin. Në të njëjtën kohë, kryeministri Markoviç tha se Ballkani Perëndimor ka nevojë për një mesazh të qartë dhe specifik nga BE-ja dhe NATO.

Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për çështjet evropiane dhe euroaziatike Hoyt B. Yee theksoi se gjatë vitit të fundit kanë ndodhur disa ngjarje që kanë ndryshuar situatën e përgjithshme në botë.

“Në Ballkanin Perëndimor ndryshimi më i madh është anëtarësimi i Malit të Zi në NATO. Shtetet e Bashkuara mbeten me Malin e Zi në rrugën e saj në NATO. Ne do të vazhdojmë edhe me mbështetjen e NATO-s”, tha Hoyt B. Yee.

Duke folur në lidhje me ngjarjet në Ballkanin Perëndimor, zyrtari amerikan tha se ishin të dukshme ndarjet politike.

“Kemi parë përdorimin e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, pastaj politikanët në entitetin e BeH-së Republikën Sërpska të cilët kërcënojnë me shkëputje, pamë bojkotin e opozitës në Mal të Zi. Për të shmangur ngjarje të tilla, liderët duhet të mbështesin reformat në interes të qytetarëve të tyre. Shpresoj se kryeministri i ardhshëm i Kosovës do të gjejë një mekanizëm për zgjidhjen e demarkacionit me Malin e Zi dhe të sigurojë liberalizimin e vizave”, tha Yee.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara do të ndihmojnë partnerët e tyre në përmbushjen e detyrimeve.

Sot në Forum do të diskutohet për zgjerimin e NATO-s, si dhe në angazhimin e SHBA-ve për sigurinë e Evropës. Panelistët do të diskutojnë edhe për rritjen e ndikimit rus në Evropën Juglindore, me theks në ndërhyrjen e Rusisë në Mali të Zi në ditën e zgjedhjeve parlamentare.

Në ditën e dytë të Forumit 2BS, të shtunën, në debatin presidencial “Populli i lirë duhet vazhdimisht që me xhelozi të ruaj lirinë e saj nga kurthe mashtruese të ndikimit të shteteve të huaja”, pjesëmarrësve do t’u drejtohet Filip Vujanoviç, Presidenti i Malit të Zi, Presidentja e Kroacisë Kolinda Grabar-Kitaroviç, dhe Borut Pahor, Presidenti i Republikës së Sllovenisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button