Kosovë, Ambasada e SHBA-ve: Deputetët ta ratifikojnë “demarkacionin” pa asnjë vonesë

Ambasada e SHBA-ve në Kosovë i bën thirrje Kuvendit të Kosovës ta ratifikojë Marrëveshjen për shënimin e kufirit me Malin e Zi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim nga Ambasada e SHBA-ve në Kosovë thuhet se marrëveshja për shënimin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi paraqet shënim të mirë, të saktë dhe të drejtë të kufirit ndërmjet këtyre dy vendeve.

“Ne mbesim plotësisht të bindur pas shqyrtimit të konsiderueshëm nga ekspertët e qeverisë së SHBA-ve se vija e shënimit të kufirit e caktuar me marrëveshje është e shënuar në mënyrë korrekte. Ka ardhur koha t’iu jepen fund argumenteve dhe mospajtimeve që vetëm po e lëndojnë Kosovën, dëmtojnë kredibilitetin e Kosovës jashtë vendit dhe pengojnë mundësinë që qytetarët e Kosovës të udhëtojnë lirshëm”, thuhet në komunikatë.

Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë nxit qeverinë e Kosovës që sërish dhe menjëherë ta dërgojë marrëveshjen për demarkacionin në Kuvendin e Kosovës dhe që deputetët ta ratifikojnë atë pa asnjë vonesë.

“Ka ardhur koha t’i jepet fund pengesave politike të Republikës së Kosovës ashtu që Kuvendi dhe Qeveria të fillojnë të shënojnë përparim në çështjet tjera jetike në të mirë të qytetarëve të Kosovës”, thuhet së fundi në komunikatë.

Ndryshe, sot pritej që Qeveria t’ia procedojë Kuvendit Projektligjin për ratifikimim e marrëveshjes për kufirin shtetëror ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi. Mirëpo, pas diskutimeve me partnerët e koalicionit qeverisës Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ku të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit e SHBA-ve në vend, ky procedim u shtye për ditën e mërkurë, pas seancës plenare ku pika e vetme e rendit të ditës është votimi i mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës.

Ratifikimi i Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, është nënshkruar më 26 gusht të vitit 2015 në Vjenë ndërmjet dy shteteve dhe është miratuar nga pala malazeze, mirëpo ende nuk është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës. Deputetët opozitarë kishin kundërshtuar dhunshëm, me gaz lotsjellës dhe me protesta këtë marrëveshje, sipas të cilëve me këtë Kosova do të humbasë mbi 8 mijë hektarë tokë.

Ndërsa kundër saj ishin edhe disa deputetë të koalicionit qeverisës dhe deputetët e Listës Serbe dhe kjo ka rezultuar në mosarritjen e votave të nevojshme për miratimin e marrëveshjes, e cila kërkon 80 vota. Marrëveshja ishte parashtruar në Kuvend në datën 1 shtator të vitit 2016, por ishte tërhequr nga rendi i ditës nga Qeveria e Kosovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button