Hamilton fiton “pole position” në Kinë

Pista e lagur e Shangait tregoi edhe njëherë se parashikimet e deritanishme kanë qenë të sakta me një Mercedes që konfirmohet gjithnjë e më i fortë për titullin, Red Bull po fiton vazhdimisht terren, ndërsa Ferrari është një skuadër me dy fytyra. Në provat zyrtare për Çmimin e Madh të Kinës, Lewis Hamilton pushtoi të tretin “pole position” këtë sezon dhe të katërtin për skuadrën gjermane që prej garës së parë të Australisë me të gjitha fitoret që mbajnë emrin e Mercedes.

U tregua vërtet luftarak piloti britanik dhe i pagabueshëm në një pistë që u bë edhe më e komplikuar nga reshjet e shiut që kishin nisur që në orët e para të mëngjesit, duke lënë me vetëm 6 të dhjetat pas Daniel Ricciardon dhe mbi një sekondë prapa në vendin e tretë kampionin Sebastian Vettel. Edhe njëherë piloti gjerman është parakaluar në renditje nga shoku i skuadrës, debutues këtë sezon me Red Bull.

Me të katërtin pole position në këtë pistë dhe të 34-in në karrierë, Hamilton vazhdon të ngjisë shkallët e historisë në Formula 1 duke kaluar një pilot mitik si kampioni i katërfishtë Alain Prost dhe dy herë kampionin Jim Clark, ndërsa përpara ka të tjerë legjenda si Schumacher, Senna e Vettel.

Ndryshe nga shoku i tij i skuadrës, gjermanit Nico Rosberg i mungoi finesa në pistë dhe me dy gabime në sesionet e fundit nuk mundi të regjistronte kohë më të mirë se vendi i katërt.

Nga Ferrari mbeti vetëm Fernando Alonso në luftë kundër të gjithëve në sesionin final me finlandezin Kimi Raikkonen që nuk mundi të kalonte e kështu garën do ta nisë nga vendi i 11-të. Spanjolli edhe njëherë tregoi se është mbi nivelin e makinës që i ofron kokëkuqja e jo më kot janë disa skuadra që e kërkojnë për sezonin tjetër.

Lajme të ngjashme

Back to top button