A janë pozitive investimet e huaja për Maqedoninë?

Çdo ditë që zgjohem falenderoj Zotin që më ka sjellë në këtë botë dhe pikërisht ka zgjedhur Maqedoninë si vendin ku durimi im dhe besimi im në jetën të sprovohen. Të jetosh në një vend si ky i yni është privilegj të cilin rrallë banor i botës e gëzon. Tani në kohë zgjedhjesh nuk e kuptoj se si nuk ju ka shkuar ndërmend të vënë si sllogan të zgjedhjeve një titull që të përmbajë elemente ekzistenciale. Edhe atë që nuk e konsideroj veten idhtar të denjë të fesë, cilado qoftë ajo, megjithëse besimi në Zot është i fuqishëm brenda meje. Shfletova dymijë e ca projektet e partive në pushtet dhe dyshoj në kuptimshmërinë e zgjedhjeve sepse askush dhe asgjë nuk mund të kontruktojë një kthesë të tillë politike që të ndryshojë fituesit e tyre. Fundja pse do duhej të ndodhte ndryshimi? Për të na e prishur hirshmërinë me të cilën e cojmë jetën, pale duke menduar pastaj edhe projektet e mëdha që do ngrejnë ekonominë e këtij shteti?!

Këto projekte janë të idejuara në bazë të pritshmërisë së stabilizimit ekonomik në Europë. BE është partneri kryesor ekonomik i vendit tonë; e para sepse investimet më të mëdha të huaja në vendin tonë bëhen nga shtetet anëtare të BE-së; e dyta sepse bashkëpunimi tregtar më i madh i vendit tonë është me këto vende; dhe e treta sepse jeta e qytetarit të thjeshtë në Maqedoni dhe stabiliteti devizor i vendit është i lidhur qenësisht me remitancat e emigrantëve. 
Në të trija këto shtylla është ndërtuar edhe politika ekonomike dhe sociale që qeveria e ardhshme pretendon që do e realizojë. Investimet e huaja në Maqedoni pritet të rriten, edhe kjo mendoj që është pritje e drejtë gjithmonë nëse situata ekonomike në Europë mbetet stabile. Kushtet të cilat ju mundësohen investitorëve të huaj sidomos në industrinë e rëndë janë shumë nxitëse, megjithëse kufizuese përsa i përket efektit të tyre imediat në zhvillimin ekonomik të vendit. Efekti kryesor pozitiv i tyre është në punësim dhe në rritje të eksportit, meqë shumica e këtyre kompanive me kontratë janë të obliguar që pjesën më të madhe të prodhimit të tyre ta destinojnë për eksport, me cka zbutet borxhi i jashtëm i vendit dhe deficiti i bilancit të pagesave. 

E gjithë ideja e zhvillimit ekonomik të vendeve të vogla nëpërmjet investimeve të huaja nuk është dicka e re për praksën ekonomike dhe aq më pak e zbuluar nga eshaloni aktual politik. Është ide e sjellë nga jashtë e cila është zbatuar më parë në shumicën e ekonomive në zhvillim. Ajo që mua më mundon është kjo: sa janë reale pritjet që në 4 vitet e fundit të punësohen mbi 60.000 persona në kompani të krijuara me kapital të huaj dhe sa janë fitimprurëse për Maqedoninë këto investime? 

Mendoj që analizën e këtyre pyetjeve duhet nisur me kualitetin e shërbimeve që vendi jonë jua mundëson investitorëve të huaj dhe kushtet në të cilat ato vendosin të sjellin kapitalin. Ajo që bie në sy janë lehtësimet infrastrukturore dhe fiskale që gëzojnë këto kompani. Lehtësimet infrastrukturore vijnë në formën e zonave industriale në të cilat investimi kryesor kryhet nga ana e vetë shtetit, duke dhënë pa pagesë shfrytëzimin e tokës dhe të gjithë infrastrukturës, duke nisur nga rrugët, e duke vazhduar me sistemet e ujit, rrymës dhe telekomunikimit. Paketa fiskale e cila ofrohet ka beneficione të tilla si, lirimi nga pagimi i tatimit në fitim në 10 vjetët e ardhshme, ulje e kontributeve të detyrueshme në pagat e punëtorëve dhe të tjera të ngjashme. Sende të cilat mendoj që për menaxhmentin e këtyre kompanive duhet të priten me pabesim dhe me një dozë skepse, sepse janë gati qesharake në liberalizmin e tyre. 
Rreziku kryesor që i kanoset Maqedonisë në 10 vjetët e ardhshme është një ekzodus i kompanive të jashtme nga vendi, duke qenë se kanë eksploatuar dy resurse kryesore: resurset humane të këtij vendi dhe kanë shterruar afatet e beneficioneve fiskale.

Edhe kjo duhet të shihet si rrezik real. Në shkencën ekonomike përfitimi më i madh që një vend I vogël mund të ketë nga kompanitë e mëdha globale është përfitimi I know-how dhe krijimit të kapaciteteve të qëndrueshme industriale në mënyrë që në një të ardhme këto resurse të mund të transferohen nga kompanitë e huaja në kompani të reja me kapital vendas. Vetëm në një mënyrë të tillë krijohet qëndrueshmëri dhe zhvillim i vërtetë ekonomik i vendit. 
Në një situatë të këtillë të pavolitshme është India, e cila u hap për së tepërmi ndaj kapitalit të huaj duke arritur nivele të larta zhvillimi. Për një moment ekonomia indiane dukej sikur do të dilte në pole-position edhe ndaj asaj kineze. Por liberalizimi i tepërt ka sjellë që sot India të jetë në krizë të thellë ekonomike dhe sociale, sepse kapitali i huaj që hyri vrullshëm në vend, vrullshëm po del. Kapitalistëve perëndimorë ju premtua India si një vend ku fuqia punëtore është e bollshme dhe shumë e lirë, ndërkaq falë korrupsionit të gjeneralizuar edhe qasja ndaj resurseve të shumta natyrore të këtij vendi historik janë shumë të eksploatueshme. 
Druaj se kushtet në të cilat zhvillohet jeta ekonomike në Maqedoni janë të ngjashme me ato indiane në aspektin e korrupsionit në masë dhe të gjeneralizuar dhe liberalizimit të tepruar të politikave qeveritare kundrejt investitorëve të huaj.

Ajo që i jep shpresë Indisë është kapitali I madh njerëzor që posedon, meqë është shteti më I populluar në Botë; cka është më e rëndësishmja numri I indianëve që studiojnë jashtë vendit është më i madhi krahasuar me ekonomitë tjera të BRIKS-it. Janë pikërisht këto atribute me të cilat vendi jonë nuk mund të krenohet. Kapitali jonë njerëzor, megjithë kampanjave gënjeshtare të arsimimit në masë nuk po fiton inercionin e duhur. Niveli i arsimit, sikur e kam përmendur edhe në shkrimet e mia të mëparshme len shumë për të dëshiruar, mbi të gjithat sepse nuk i përshtatet nevojave dhe trendeve moderne të arsimimit.

Nga kjo lindën edhe pyetja e ardhshme. A mund të shihet Maqedonia si vend me kapacitet të mjaftueshëm human për të përballuar premtimin utopik për mbi 60.000 punësime të reja pjesa më e madhe e të cilave sipas të gjitha supozimeve do të duhet të behen jashtë administratës shtetërore. Bëhet akoma më utopik ky numër kur mendohet për trendet e zhvillimit që shkojnë sa vjen e më shumë drejt automatizimit dhe robotizimit të kapaciteve industriale dhe të vendeve të punës. Roli i faktorit njeri dhe aftësive intelektuale të tij në një kompani të 10 vjetëve të ardhshme do të jetë vendimtar. Realisht nuk shoh kapacitet të mjaftueshëm edukativ për të bërë dallimin e duhur dhe për të shpjerrë shoqërinë në kahjen e duhur dhe për të sjellë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. 

Në një situatë të këtillë bëjmë mirë nëse mendojmë zgjuarsisht se cka do i kërkojmë qeverisë së ardhshme. Unë do të kisha sugjeruar një politikë më të moderuar në premtimet e saja dhe më të zgjuar përpara sfidave të të ardhmes. Ndoshta projektet parazgjedhore duhet të parashtrojnë strategjitë për të transformuar ekonominë tonë nga një ekonomi të varur tërësisht nga ekonomia botërore, në një ekonomi e cila do të kishte fuqinë e mjaftueshme industriale dhe intelektuale për t’ju bërë ballë sfidave të krizave të ardhshme ekonomike dhe sociale në Europë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button