Mbyllet në paqe derbi Shkupi – Shkëndija

Derbi i xhiros së 30-të, është luajtur në Shkup në stadiumin e Çairit, ku në një atmosferë të mirë dhe me lojë të mrekullueshme, dy ekipet shqiptare Shkupi – Shkëndija janë ndarë me pikë të barabarta pas rezultatit 1:1.

Shkupi ishte skuadra që në fillim kishte iniciativë më të lehtë dhe kishte rastin e parë, kur në minutën e 15-të, Besar Iseni tentoi që të shënojë gol, por portieri Zahov evitoi rrezikun.

Pikërisht në minutën e 19-të, pas një kundërsulmi të shpejtë, Ferhan Hasani arriti të del nga e majta përballë Zendelit, duke shënuar golin e epërsisë. Deri në fund të pjesës së parë, Shkëndija kishte edhe disa raste, fillimisht në minutën e 31-t, Ferhan Hasani kishte edhe një rast të mirë, pasi loboi portierin Zendeli, topi goditi transversalen, ndërsa Medjedoviq në minutën e 40-të, tentoi me kokë, por goditja ishte plogësht që e kontrolloi portieri Zendeli. Më pas në minutën e  44 Besart Ibraimi dërgoi goditje drejt portës, që u kontrollua mirë nga Zendeli. Minutën e fundit të pjesës së parë, Shkupi u kanos me anë të Emmanuel Mbella, por Zahov goditjen e tij e devijoi në rivënie këndi.

Në pjesën e dytë, Shkupi filloi furishëm, duke sulmuar nga të dy krahët. Në minutën e 55-të, Bujamin Asani ishte në zonën e rrezikut, ndërsa Shkupi kërkoi penalti, por arbitri Meçkarovski ishte i sigurt se nuk kishte një të tillë. Në minutën e 60-të, Fatih Ismaili dërgoi topin skaj porte, e që më pastaj, pas kromimit të Krivanjevës, topin për mrekulli e kontrolloi Bunjamin Shabani, i cili shënoi për barazim.

Edhe minuta e 80-të, solli një rast të pastër për Shkupin, kur Shabani asistoi për Isenin, e ky i fundit dërgoi topin skaj portës së Zahovit. Deri në fund kishte dhe disa tentime, por pa ndryshuar rezultatin.

Renova si nikoqire ka barazuar me Rabotniçkin në Tetovë po me rezultat 1:1. Të parët në avantazh kaluan nikoqirët me golin e Valmir Nafiut në minutën e 8-të, ndërsa miqt barazuan me autogolin e Mishkovskit në minutën e 80-t.

Në ndeshjet tjera Vardari e ka mundur Pobedën me rezultat 4:0, Sileksi mundi Bregallnicën me 3:2, ndërsa Pelisteri e mundi Makedonija Gj.P. me rezultat 3:1. /Prtalb.mk/

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button