Ali Ahmeti uroi zgjedhjen e Ilir Metës për president të Shqipërisë

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka mirëpritur zgjedhjen e Ilir Metës president të Shqipërisë.

“Duke mirëpritur zgjedhjen Tuaj në postin President i Republikës së Shqipërisë, më lejoni që në emrin tim dhe të të gjithë ne pranë Bashkimit Demokratik për Integrim, t’Ju shpreh urimet më të përzemërta dhe t’Ju uroj suksese në përmbushjen e misionit që po ndërmerrni”, thuhet në urimin e Ahmetit.

“Ne njihemi gjatë dhe kemi punuar bashkë në kohëra vendimtare për kombin dhe rajonin. Andaj, jam i bindur që Ju, me maturinë, urtësinë dhe eksperiencën Tuaj, do të arrini të adresoni me sukses sfidat me të cilat po përballet sot shteti shqiptar dhe shqiptarët në përgjithësi. Uroj, që nën lidershipin tuaj, partneriteti dhe bashkëpunimi mes dy vendeve tona do të thellohet dhe zgjerohet në funksion të paqes, stabilitetit dhe mirëqënies rajonale për të përmbushur synimin tonë të përbashkët strategjik të integrimit evropian, thuhet më tej në urim.

Njëherit, Ahmeti përfiton nga rasti të shprehë mirënjohjen e thellë për presidentin Bujar Nishanin për mbështetjen e vazhdueshme për shqiptarët e Maqedonisë dhe rrugëtimin e tyre euro-atlantik duke zbatuar politika të fqinjësisë së mirë për të gjitha vendet në hapësirën tonë rajonale.

“Duke shprehur edhe një herë urimet e mia, Ju lutem pranoni, zoti President Meta, shprehjen e konsideratës sime më të lartë”, thuhet në fund të urimit të kryetarit të BDI-së për presidentin e sapozgjedhur të Republikës së Shqipërisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button