Të gjitha kundërthëniet dhe çështjet e hapura pas vjedhjes së shekullit në NLB Shkup
Pas vjedhjes më të madhe në historinë e Maqedonisë të mbi 3 milionë eurove nga arka e NLB-së në Shkup, njoftimet e MPB-së dhe Prokurorisë Themelore- Shkup që i dërguan për mediat dje kanë ndihmuar pak, por më shumë u kanë shkaktuar probleme gazetarëve në tentimin që ta informojnë opinionin për detajet e rastit. Kjo vjedhje për shumë arsye është specifike:
Arkëtari i bankës pesë ditë me radhë ka nxjerrë të holla në qese zbukuruese (që është detaji i vetëm të cilin e zbuloi MPB) dhe askush nuk e ka vërejtur?
Edhe pas tre ditëve, misteri qëndron tek paratë të cilat ende s’mund të gjenden, autori është në paraburgim ndërsa çdo ditë e më tepër rritet numri i pyetjeve të hapura:
- Ku janë paratë?
- A ka vepruar arkëtari i vetëm?
- Si ka mundësi askush të mos e vërej arkëtarin se po nxjerr të holla nga arka e bankës?
- A ka pasur në bankë (arkë) kamera sigurie?
- Pse ka dallim në shumën e parave që përmenden në njoftimet e MPB-së (2,4 milionë franga zvicerane dhe 645.000 euro) dhe Prokurorisë Publike (2 milionë franga zvicerane dhe 270.000 euro)?
Por, nga MPB dhe nga Prokuroria Themelore nuk morëm përgjigje të saktë. Në Ministrinë e brendshme thonë se tash për tash s’mund të thuhet asgjë nga ajo që dje u dërgua për mediat, pasi tani çështja është në duart e prokurorit publik.
Nga Prokuroria e Shkupit për dallimet në shumat e parave, për “Meta” thonë se njoftimi i tyre nuk është shterur, janë njoftuar detaje të caktuara, por fotografia e plotë do të shihet në aktakuzë.
Në pyetjen nëse arkëtari i dyshuar B.S ka treguar ku janë paratë, na thanë se në interes të procedurës hetimore, shumë detaje nuk do të njoftohen për opinionin deri në momentin e duhur.