Për tre muaj, mbi 2 milionë euro të falsifikuara në Kosovë

Vetëm gjatë tre muajve të parë të këtij viti, Policia e Kosovës ka konfiskuar mbi 2 milionë euro para të falsifikuara, bëjnë të ditur për Radion Evropa e Lirë zyrtarë të policisë.

Gjatë këtyre tre muajve policia thotë të ketë trajtuar 243 raste të falsifikimit të parave në vlerë prej 2 milionë e 140 mijë eurove dhe ka arrestuar 18 persona të cilët kanë qenë të involvuar në veprime të tilla të kundërligjshme.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha ka thënë për Radion Evropa e Lirë se rastet e tilla të parave të falsifikuara raportohen nga qytetarët dhe nga autoritetet e ndryshme bankare.

“Policia e Kosovës ka realizuar një numër të aktiviteteve policore kundër veprave penale që, sipas Kodit Penal, cilësohen ‘Falsifikim i parasë’, dhe mund të konkludojmë se si rezultat i këtyre përpjekjeve operacionale janë arrestuar persona të dyshuar, janë konfiskuar dëshmi relevante duke përfshirë edhe para të falsifikuara”.

“Referuar statistikave gjatë periudhës janar – mars të këtij viti, në luftimin e kësaj dukurie që ka ndikim edhe në mirëqenien e qytetarëve të Kosovës polica ka të raportuar 243 raste derisa vlera e parave të falsifikuara kap shifrën e 2 milionë e 140 mijë euro, derisa janë arrestuar 18 persona”, bënë të ditur Hoxha.

Kartëmonedha më e falsifikuar në tregun e Kosovës, sipas policisë, është bankënota prej 50 euro.

Në anën tjetër, zyrtarë të bankës Qendrore të Kosovës në një përgjigje të dërguar përmes postës elektronike kanë prezantuar të dhënat në lidhje me paratë e falsifikuara të cilët ata i marrin nga Laboratori i Forenzikës së Kosovës.

“Sa i përket kartëmonedhave euro të falsifikuara dhe që janë konfiskuar në nivel të Kosovës gjatë vitit 2016-të , të ndara sipas denominimeve janë si në vijim: gjithsej në total janë konfiskuar 824 copë kartëmonedha të falsifikuara dhe 123 copë monedha të falsifikuara”, thuhet në përgjigjen e Bankës Qendrore të Kosovës.

Vënia e parave të falsifikuara në qarkullim ka efekte negative në ekonominë e vendit thonë ekspertë dhe përfaqësues të shoqatave të bankave në Kosovë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button