Nënshkruhet partneriteti strategjik Shqipëri-Francë

Gjatë vizitës së kryeministrit Edi Rama në Paris, qeveria shqiptare dhe ajo franceze kanë nënshkruar një sërë marrëveshjesh të cilat ngrenë kuadrin e bashkëpunimit dypalësh në nivel strategjik, transmeton Top Channel

Gjatë vizitës, palët patën mundësinë të konfirmojnë marrëdhënien speciale midis Shqipërisë dhe Francës si dhe rëndësinë e bashkëveprimit afatgjatë midis dy vendeve në fushën e sundimit të ligjit, mbrojtjes dhe sigurisë, në rrafshin dypalësh, rajonal dhe më gjerë.

Në takimin e posaçëm me homologun francez Bernard Cazeneuve, kryeministri Edi Rama shprehu falenderimet e qeverisë shqiptare për mbështetjen e Francës në procesin e integrimit europian të vendit tonë si dhe për vëmendjen e shtuar dhe dedikimin e Francës në mbarëvajtjen e proceseve dhe projekteve rajonale.

Kryeministri Cazeneuve vlerësoi progresin e Shqipërisë dhe ecurinë e reformave në fushën e sundimit të së drejtës, përpjekjet e suksesshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kryeministri francez falenderoi gjithashtu palën shqiptare për bashkëpunimin me autoritetet franceze në fushën e luftës kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Bashkëbiseduesit veçuan rëndësinë e trefishtë të zbatimit të reformës në drejtësi si një reformë të nevojshme për të rritur besueshmërinë e institucioneve të drejtësisë, si dhe impaktin e saj në fushën e sigurisë dhe në përforcimin e sundimit të së drejtës në ekonomi. Pala franceze nënvizoi gjithashtu rolin e posaçëm të Shqipërisë në stabilitetin demokratik të rajonit.

Në përfundim të takimit, në praninë e dy kryeministrave, ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati dhe ministrat francezë Fekl, Desir dhe Todeschini, nënshkruan deklaratën e partneritetit strategjik midis dy vendeve si dhe marrëveshjet për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe atë të sigurisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button