Hungaria: E kuptojmë shumë mirë Turqinë

Ministri hungarez i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Peter Szijjarto, ka deklaruar se kontaktimi i Turqisë me qytetarët që jetojnë jashtë vendit është një aktivitet normal, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ne si hungarezë e kuptojmë shumë mirë këtë çështje. Sepse shumë qytetarë hungarezë jetojnë jashtë vendit tonë. Është mëse normale që qeveria jonë të jetë në kontakt me qytetarët e saj jashtë vendit dhe të këshillohet me ta”, ka thënë Szijjarto dhe më pas ka shtuar se “Pakti mes Bashkimit Evropian (BE) dhe Turqisë është në rrezik.”

Duke vënë në dukje se është shumë i shqetësuar për zhvillimet që kanë ndodhur mes Turqisë dhe Holandës, Szijjarto ka theksuar se është një situatë e pazakontë që dy vende anëtare të NATO-s të kenë probleme për një çështje të tillë.

– “Ky është një gabim i madh”

Duke u shprehur se kritikat e vazhdueshme ndaj Turqisë pas arritjes së marrëveshjes mes saj dhe BE-së për refugjatët janë shumë të gabuara, Ai në vijim të fjalës së tij ka shtuar: “Pas firmosjes së marrëveshjes mes BE-së dhe Turqisë, liderët e unionit pothuajse kanë hyrë në një garë se kush do të kritikojë më shumë Presidentin e Turqisë (Recep Tayyip Erdoğan) dhe qeverinë e këtij vendi. Ky është një gabim i madh.”

Ndërsa tha se BE-ja duhet t’i përmbahet plotësisht marrëveshjes dhe të plotësojë të gjitha kushtet, Szijjarto, në vijim shtoi: “Evropa duhet t’i plotësojë të gjitha kushtet e marrëveshjes. Zyrtarët në Bruksel të mos bëjnë dinakëri duke hedhur në rrezik sigurinë e Evropës. Komisioni i Evorpian gënjeu kur tha se do të shqyrtojnë në të njëjtën kohë si çështjen e refugjatëve ashtu edhe atë të heqjes së vizave. Turqia nuk ka asnjë faj në këtë mes. Është krejtësisht faji i Brukselit. Realisht politika e Evropës për vizat nuk është shumë e besueshme. Ende nuk janë hequr vizat për Ukrainën dhe Gjeorgjinë edhe pse këto vende i kanë plotësuar të gjitha kushtet.”

Szijjarto ka mbrojtur politikat e Hungarisë për mbrojtjen e kufijve duke ngritur pengesë me tela me gjemba, ndërsa në vijim ka shtuar: “Nëse në kufirin tonë vijnë mijëra refugjatë çdo ditë ashtu sikurse vinin vitin e kaluar, BE-ja nuk do të bëjë përsëri asnjë gjë.”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button