Fjalimet frymëzuese të grave të njohura, përfshirë dhe fjalët e një djali “Mama Linda je shumë e bukur”

Megjithëse sfida më e madhe mbetet që burrat të pranojnë dhe respektojnë të drejtat e grave në familje, në vendet e punës, në shoqëri, të gjithë këto janë të vështira nëse, si pikënisje, ato nuk kanë mbështetjen e grave të tjera, shkruan Revista Class, transmeton Portalb.mk.

Në muajin e grave, kemi zgjedhur disa nga fjalimet motivuese të grave për gratë, të grave bashkëshorte të drejtuesëve politikë, të grave politikane, aktiviste, profesioniste të suksesshme, që ngrenë zërin edhe në emër të atyre që kjo shoqëri ua ka marrë të drejtën për t’u dëgjuar. Nisim me Linda Ramën, bashkëshorten e Kryeministrit Edi Rama para disa ditësh, në 8 mars, në takimin që organizoi në Pallatin e Brigadave, i cili është sjellë i plotë sepse flet për gratë dhe realitetin shqiptar, për të shkuar te fjalimi i Michelle Obama-s para një viti dhe vazhdojmë me të tjera fjalime të rëndësishme të grave të njohura në vitet e fundit.

Linda Rama, 8 mars 2017, Pallati i Brigadave

“Një vit më parë, Eni Vasili më kërkoi të bëja një shënim në kopertinën e librit të saj mbresëlënës “Unë kam vrarë”.Dhjetë portrete grash të burgosura për vrasje. Pikërisht atë ditë me një grup ekspertësh po i jepnim dorën e fundit një studimi mbi pjesëmarrjen e gruas në role vendimmarrëse, në politikë, në administratën publike dhe kompani private në Shqipëri. Analiza na kishte sjellë në përfundimin e qartë se megjithëse gratë dhe vajzat performojnë më mirë se burrat dhe djemtë në rrugën e arsimimit, ato ende nuk janë në kushte të barabarta, as përsa i përket akesit në arsim dhe as nga vlerësimi i nivelit arsimor dhe i aftësive të tyre profesionale.

Por, unë bie dakord me këdo që thotë se ato ia kanë dalë të jenë një prani e admirueshme si mësuese, si mjeke, doktore shkencash, profesore. Janë sot ¼ e parlamentit. Janë më shumë se 1/3 në qeveri. Konkurrojnë rëndom pozicionet e larta në administratë. Janë në një prezencë të kënaqshme në linjën e parë të menaxhimit të kompanive të mëdha private. Janë sipërmarrëse të suksesshme. Sidoqoftë, kjo anë e medaljes me cilësinë e zhvillimit të pamohueshëm në këtë drejtim, mund të na çojë në përfundime të gabuara nëse e shohim të ndarë nga ana tjetër, atë të diskriminimit ndaj vajzave dhe grave qysh në vitet e fëmijërisë dhe në vazhdim.

Dhjetë portretet e Enit, libër të cilin i’a sugjeroj dashamirësisht atyre që nuk kanë patur rastin ta kenë në dorë, janë një udhërrëfyes i vyer për të kuptuar si duhet anën tjetër të medaljes. Një anë e zymtë, e rëndë, e pamundur të relativizohet në përmbajtjen e saj shumë shqetësuese prej të gjithë rezultateve të mirëqena të këtyre viteve, në drejtim të barazisë gjinore.Krimet ekstreme të atyre dhjetë grave dhe vajzave janë një pasqyrë brutale e jetës së përditshme, që zhvillohet larg mureve të institucioneve dhe kompanive, në një Shqipëri diskriminuese ndaj bashkëqytetareve tona, për të cilat dëgjojmë vetëm kur kryhet një krim i rëndë, po kur sjellja e vrazhdë si prelud i dhunës ndaj tyre është normë, është mënyrë jetese. Kjo është një Shqipëri tjetër, një botë e mënjanuar pas një perde sedre arkaike dhe turpi bashkëkohor, ku nuk penetron syri i medias prej ku asgjë nuk del në botën e klikimeve dhe të pëlqimeve, e cila përthith fuqishëm vëmendjen dhe diktatin e çastit, duke e kthyer në një diktaturë të sipërfaqësores.

I jam trembur qysh në fillim kësaj diktature dhe jam përpjekur t’i rezistoj, duke mos krijuar një profil timin në Facebook, në Instagram apo Twitter, por jam shumë e vetëdijshme se nuk i shpëtoj dot shfaqjes së saj përpara dhe rreth meje si një prani e pashmangshme, diktatit të saj konsumues përmes subjektesh dhe objektesh të imponuara në biseda, të cilat i ngjajnë gjithnjë dhe më shumë një dorëzimi përpara sipërfaqësores dhe kalimtares që i bën marrëdhëniet mes njerëzve t’i ngjasojnë përherë e me tepër klikimeve sesa komunikimeve. Shumëkush thotë se interneti ka rritur ndjeshëm kapacitetin tonë për të komunikuar. Ndjesë, por shumë modestisht mendoj se po, me siguri ka rritur mundësinë tonë për t’u ekspozuar e për të ekspozuar opinione gjithnjë dhe më të përmbledhura. Por besoj se ka ulur kapacitetin tonë për të komunikuar, dëgjuar, dyshuar në të vërtetat tona. Nuk është aspak rastësi që dhjetë portretet e Enit dhe dhjetëra e mijëra portrete grash dhe vajzash që jetojnë jashtë mureve të ekspozitës së madhe virtuale të klikimeve dhe pëlqimeve, janë sot edhe më të ndara, edhe më të izoluara prej realitetit tonë ku progresi i madh në këtë drejtim është një pengesë më vete në rrezen tonë të vështrimit. Në një kohë si kjo më duket se është i kërcënuar edhe vetë konsensusi i arritur në pjesën e zhvilluar të shoqërisë, mbi faktin se gruaja nuk është peng i fatalitetit dhe i skandalit, thelbi i bukurisë që vret, siç fliste Migjeni, por paralajmëruese, pararendëse dhe garante e së padukshmes siç e cilësonte Shën Gjon Pali i II-të, pra i të mirës, virtytit, historive të vërteta të suksesit, ato për të cilat flitet më pak ose nuk flitet aspak.

Duket sikur ka një rrëshqitje të vazhdueshme në një terren paqëndrueshmërie përthithëse. Fizikja po përparon në dëm të shpirtërores. E sipërfaqshmja në dëm të thelbësores. Pëlqyeshmëria imediate në dëm të thellësisë së pëlqimit. E çka e bën rrëqethës këtë përparim në sens të kundërt të progresit që kërkuam me vite dhe dekada të tëra, është dasia, fragmentimi, copëzimi në dëm të vizionit dhe sintezës mbi shoqërinë e barabartë që duam.“Pak rëndësi ka sa e papërfillshme mund të duket një grua. Nëse në fytyrë ka të shkruar vërtetësinë dhe luajalitetin, gjithçka do të tërhiqet rreth saj”, – shkruante Eleanor Roosevelt, një kult i mrekullueshëm që sot, zor se do merrte klikime dhe pëlqime të dallueshme në klasifikimin e thënieve të ditës. “Historia e qytetërimit, me uljet dhe ngritjet e saj, mund të lexohet si një produkt i ligjit të forcës, të interpretohet si shuma e ndjesive të frikës së gjithsecilit. Më duket pikërisht se është sfida e grave të kësaj epoke qytetërimi, konsolidimi i demokracisë dhe qëndresa ndaj tundimit për t’i paguar haraç frikës”, thoshte zonja Roosevelt, aq shumë kohë më parë.

Por sot, kaq shumë kohë më vonë, kur jo pak çështje të shoqërisë dhe të vetë grave, që dukeshin si të zgjidhura parimisht njëherë e përgjithmonë çfarë duhet të mendojmë dhe si duhet të reagojmë ndaj haraçit të frikës prej rivënies në diskutim të tyre! Si duhet të reagojmë ndaj shfaqjes së përditshme të relativizimit brutal të normave etike, vlerave shoqërore, nocioneve të së vërtetës dhe të gënjeshtrës! Si duhet të reagojmë ndaj eksodit masiv të fëmijëve tanë nga bota e leximeve, në botën e klikimeve.

Nuk e di, por kam prirjen e fortë të besoj se, përsëri, njësoj si në kohën kur Eleanor Roosevelt e quante sfidë të grave konsolidimin e demokracisë dhe qëndresën ndaj tundimit për t’i paguar haraç frikës, përgjigjja për pikëpyetjet e kohës që jetojmë mund të vijë nga gratë, më shumë sesa nga burrat.

Dhjetë portretet e Eni Vasilit janë përgjigjja e dëshpërimit më ekstrem që mund të na vlejë si një arsye shumë e fortë për t’u ndjerë të detyruara të gjejmë përgjigjen e kurajës, për të besuar në mundësinë e një bote më të mirë për fëmijët tanë. Për të besuar në rëndësinë e komunikimit tradicional ku dëgjimi ka po aq rëndësi sa kumtimi. Për të besuar në forcën ndikuese të shembullit të mirë, duke çmuar dhe komentuar me respekt, pa u tkurrur nga presioni mbytës i mjedisit zhvleftësues dhe përçmues ndaj suksesit të tjetrit.

Këto vite nën dritat e një skene që nuk kam zgjedhur me dëshirë, por ku jam e detyruar të qëndroj për hir të një dashurie të madhe, kam parë që shpesh na qëllon ne grave me profil publik ta gjejmë veten përballë një pasqyre ku imazhi jonë shkarravitet. Kjo më lëndon padyshim! Por mbi të gjitha më lëndon indiferenca e përgjithshme ndaj të vërtetës, të cilën ju kush më shumë e kush më pak e keni provuar në sensin e zbrazëtisë që krijon brenda vetes përballë një cenimi të padrejtë. Sepse të gjitha dhe të gjithë, për fat të keq jemi gjithnjë dhe më të prirur të mos i marrim seriozisht cenimet që na bëhen përditë, masivisht në këtë mjedis, ku shuplakat publike të akuzave, shpifjeve dhe fyerjeve janë bërë rutinë njësoj si klikimet. Por, në fund të ditës një pyetje pa përgjigje mbetet: Çfarë po u bën dhe do t’i bëjë fëmijëve tanë gjithë ky transformim radikal në stomakun e shoqërisë. Sot në mëngjes, Zaho me sinqeritetin e një bebeje, duke më parë bukur, drejt në sy më tha diçka që më befasoi: Mama Linda ti je shumë e bukur!

Kjo më çarmatosi dhe më bëri të mendoj se fjala që kisha përgatitur për të thënë këtu para jush vlente të hidhej në kosh dhe unë të besoja tek e nesërmja do të jetë si kjo ditë e bukur, plot diell 8 Marsi!”

Në fund, ajo ka ftuar bashkëshortin e saj, që e prezantoi “një zotëri i ftuar sot si një mbështetës i madh i barazisë gjinore, ka diçka që Edi nuk e humb kurrë, interesin për gruan”.

Michelle Obama, 8 mars 2016, Washington DC

Michelle Obama në vitin e parë të nismës së saj “Let Girls Learn” mbajti një fjalim që pati shumë ndikim sepse kornizoi arsyet pse të mbështesësh të drejtat e grave është e rëndësishme. “Këto çështje nuk janë zgjidhur ”, tha ajo. “Këto liri që ne i marrim për të mirëqena nuk janë të garantuara në gur. Dhe ato sigurisht nuk na kanë rënë nga qielli. Jo, këto të drejta janë siguruar me beteja të gjata dhe të vështira të ndërmarra nga gratë dhe burrat që kanë marshuar, kanë protestuar dhe kanë bërë të dëgjohet zëri i tyre në gjykata, në borde, në kutitë e votimit dhe dhomat e Kongresit.”

Hillary Clinton, 5 shtator 1995, Pekin, Konferenca e OKB-së për gratë

“Unë dua të flas për mamatë që po përpiqen për shkolla më të mira, për lagje më të sigurta, për ajër të pastër, për gratë më në moshë, që pasi rrisin familjet e tyre, aftësitë dhe përvoja e jetës nuk iu vlerësohen në tregun e punës, për gratë që punojnë gjithë natën si infermiere, punonjëse hotelesh, kuzhiniere fast food-esh që të jenë në shtëpi ditën me fëmijët e tyre dhe për gratë që thjesht nuk kanë kohë të bëjnë gjithçka që u kërkohet të bëjnë çdo ditë. Duke folur me ju sot, unë flas për ato, ashtu si kushdo nga ne flet për gratë në gjithë globin që iu mohehet mundësia për të shkuar në shkollë, për t’u vizituar te mjeku, për të pasur një pronë të tyre, apo liria e fjalës për të vendosur drejtimin për jetët e tyre, vetëm sepse janë gra.”

Angelina Jolie, 11 qershor 2015, Samiti i Bashkimit Afrikan

“Ka një dhunë epidemike globale kundër grave, si në zonat e luftës dhe në shoqëritë në paqe dhe ende trajtohet si një krim i lehtë dhe pa përparësi” ka thënë ajo.

“Gratë dhe vajzat po vuajnë veprimet më të egra të ekstremistëve që argëtohen duke i trajtuar ato barbarisht”, shtoi ajo. “Kjo ka një marrëdhënie të fortë me dështimin tonë për të ndaluar dhe ndaluar konfliketet në botë, që po u sjell vuajtje njerëzve.

Aktorja dhe E dërguara Speciale e Komisionerëve të Lartë të OKB-së për Refugjatët e mbylli fjalën e saj duke parashtruar një zgjidhje për problemin.

“Ne i kemi të domosdoshme politikat për sigurinë afatgjatë të ndërtuara nga gratë, të përqendruara te gratë, të ekzekutuara nga gratë”, shpjegoi Jolie , “jo në kurriz të meshkujve, apo në vend të meshkujve, por paralelisht dhe bashkë me burrat.”

Amal Clooney, 16 nëntor 2016, Konferenca e Teksasit për Gratë

Amal Cloony, avokatja britanike e të drejtave civile në Konferencën e Teksasit për Gratë mbajti një fjalim frymëzues.

“Si gra, ne na bashkon diçka. Përvojat tona. Përvoja që vetëm gratë i kalojnë. Veprimi më negativ që mund të bëjmë është të mos mbështesim gratë. Këtë ne mund ta praktikojmë çdo ditë pavarësisht kush jemi dhe çfarë bëjmë. Sepse nëse jemi të bashkuara, nuk ka më kufizim për atë që mund të bëjmë”, ka thënë ajo.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button