Ja se çfarë shqetësimesh kanë liderët e Bashkimit Evropian për Maqedoninë

Liderët e Bashkimit Evropian kanë shprehur shqetësimin e tyre për “ndikimet e jashtme”, që po shkaktojnë përçarje në shtetet e Ballkanit Perëndimor, pas disa lëvizjeve të fundit të Rusisë dhe aleatëve të saj në Ballkan, për të bllokuar lidhjet e ngushta me Perëndimin, shkruan REL.

“Do t’i bëj të qarta shqetësimet e mija për destabilizimin e mundshëm në rajon dhe për rrezikun që prezanton për sigurinë tonë të përbashkët”, ka thënë kryeministrja britanike, Theresa May, teksa ka njoftuar se vendi i saj do të jetë nikoqir i samitit të ardhshëm të Ballkanit Perëndimor, ku fokusin pritet të jetë fokusimin në rikthimin e stabilitetit në rajon.

“Në dyshimin për komplot për grusht-shtet në Mal të Zi, unë bëj thirrje që të bëjmë më shumë për të luftuar destabilizimin e rajonit nga fushatat dezinformuese ruse dhe të rritet dukshëm angazhimi i Perëndimit për këtë rajon”, ka thënë May në samitin e mbajtur në Bruksel. Autoritetet në Mal të Zi, kanë thënë se serbët që veprojnë nën urdhrat e Rusisë, janë përpjekur që ta vrasin ish-kryeministrin Milo Gjukanoviq, në ditën e zgjedhjeve, që u mbajtën në tetor, si pjesë e një komploti për ta destabilizuar vendin.

Mali i Zi shpreson që më vonë gjatë këtij vitit të anëtarësohet në NATO, një lëvizje që Rusia e konsideron “provokim” dhe kërcënim për sigurinë e saj. Presidenti i rizgjedhur i Këshillit Evropian Donald Tusk, para se të fillonte samiti i BE-së, aludoi në ndikimin negativ të Rusisë në rajon. Ai bëri fjalë për “tensione dhe përçarje” në rajon, të cilat “përmes një influence të pashëndetshme kanë dalë jashtë kontrolli”.

Sipas tij disa vende janë “destabilizuar” përmes kësaj. E ngarkuara e BE-së për politikën e Jashtme, Federica Mogherini, e cila së fundmi vizitoi Ballkanin në një tur disa-ditor, kishte paralajmëruar më parë se rajoni rrezikon të kthehet në “një fushë shahu të lojërave të fuqive të mëdha”. Krerët e vendeve e qeverive të BE-së janë konsultuar të enjten në mbrëmje për gjendjen në rajon, ku katër vende janë vende kandidate për anëtarësim: Shqipëria, Maqedonia, Serbia, Mali i Zi.

Por procesi i integrimit duket i vështirë dhe në disa vende është përhapur zhgënjimi për mungesën e rezultateve konkrete në jetën e përditshme të njerëzve. Fokusi tek Ballkani këtë herë është më shumë përsëritje e premtimit për paqe në Ballkan përmes perspektivës evropiane dhe një sinjal se BE nuk e harron rajonin.

Kryeministri kroat Andrej Pelinkoviq deklaroi se më shumë është biseduar për zhvillimet në Maqedoni dhe BeH. Burime diplomatike thonë se janë të qarta pritjet e BE-së nga Maqedonia si vend kandidat për anëtarësim. Nëse do edhe më tej të përparojë drejt rrugës evropiane, Maqedonia patjetër përmes institucioneve të sistemit dhe në mënyrë demokratike ta zgjidhë situatën momentale për formimin e qeverisë. Në të kundërtën, thonë në Bruksel, vendi do të ketë pasoja. BE pret përparime dhe vazhdim të normalizimit të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, demarkacionin mes Kosovës dhe Malit të Zi dhe vazhdimin e reformave në tërë rajonin.

Një përfaqësues i qeverisë gjermane tha për DW se vendet e Ballkanit nuk duhet të krijojnë përshtypjen se BE merret vetëm me veten, me Trump apo Brexit, por se BE i merr seriozisht zhvillimet në fqinjësinë e drejtpërdrejtë të saj. Vetëm para pak ditësh ishin ministrat e Jashtëm të BE-së që diskutuan për Ballkanin, duket vënë në dukje, se Ballkani ende mbetet fuçi baruti  Prandaj kreu i Këshillit të BE, Donald Tusk theksoi në Bruksel se BE i “qëndron angazhimit për stabilitet dhe mirëqenie në rajon”.

Bashkimi Evropian gjithashtu thotë se është i hapur që më shumë shtete nga Ballkani t’i bashkohen bllokut, nëse ato vazhdojnë reformat ekonomike dhe politike. “Shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë perspektivë të qartë evropiane”, ka thënë kreu i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, gjatë samitit të BE-së, të mbajtur të enjten mbrëma në Bruksel. Liderët e BE-së, në këtë samit kanë thënë se e kanë vendosur anëtarësimin e shteteve të Ballkanit në agjendën e samitit të Brukselit, me qëllim që tu tregojnë vendeve të Ballkanit që, pavarësisht tensioneve etnike në rajon, vendet që i kryejnë reformat do të jenë të mirëpritur që t’i bashkohen bllokut, veçanërisht në kohën kur Rusia po mundohet që ta rrisë ndikimin në rajon. Në samitin e BE-së nuk u vendos për politika të reja të BE-së për Ballkanin por diplomatët thanë se liderët evropianë mendojnë ta vizitojnë më shpesh rajonin, për të inkurajuar shtetet që të kryejnë reformat.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button