Kushtetuesja rrëzon gjyqtarët

Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën për pezullimin e ligjit “për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, të kërkuar nga komuniteti i gjyqtarëve, të cilët konsiderojnë si antikushtetues 50 dispozita të këtij ligji e për rrjedhim kërkojnë shfuqizimin e tij.

Një vendim i tillë do të thotë se ligji është i zbatueshëm derisa Gjykata Kushtetuese të shprehet për kërkesën në themel, vendim që parashikohet të jepet brenda këtij muaji, transmeton Top Channel.

Por seanca gjyqësore u shoqërua me tona të forta, jo vetëm mes përfaqësuesve të gjyqtarëve dhe përfaqësuesve të Kuvendit, por edhe gjyqtarëve kushtetues.

Dispozita më e debatuar ishte pikërisht ajo e ndikimit në pagën e gjyqtarit sipas ngarkesës në punë dhe kur ai shfaq probleme shëndetësore. Por kur gjyqtarët e konsiderojnë këtë pikë të ligjit si diskriminues, gjyqtari Vladimir Kristo kërkoi nga Kuvendi për eksperiencën ku referohet ligji.

Vladimir Kristo: Kush e njeh, më thoni si e ka Angola, apo Zanzibari apo Kameruni e të tjera e të tjera? Standardin dua të dëgjoj këtu.

Vasilika Hysi: Për shëndetin që e keni merak ju e shikoj që secili anon sipas problematikave. Zoti gjyqtar, për ju e them, nuk do ishit dakord ju që nëse do donit të ulnit ngarkesën që mos të merrni masat disiplinore?

Vladimir Kristo: Mor po unë iki fare.

Vasilika Hysi: Po mirë ikni ju, po nuk ikën një tjetër.

Atëherë kur gjyqtarët kushtetues ishin tërhequr për vendim të ndërmjetëm, palët debatuan me njëra-tjetrën duke pretenduar secila të drejtën.

Por gjyqtarët ankohen në Kushtetuese për çështje që lidhen me statusin e tyre që nga promovimi në karrierë e deri tek përllogaritjet për daljen në pension.

Sipas tyre, me zbatimin e këtij ligji edhe vetë drejtësia ka hyrë në kaos, për sa kohë nuk është ngritur institucioni i ri i Këshillit të Lartë Gjyqësor që zëvendëson KLD-në, të cilës i janë hequr mes të tjerash edhe për emërime e transferime.

Por në lexim të ligjit afati i fundit i ekzistencës së KLD-së është data 12 prill, pikë në të cilën gjyqtari kushtetues Besnik Imeraj kërkoi nga Kuvendi përgjigje që lidhen edhe me Vettingun.

Besnik Imeraj: Në rast se nuk krijohet Këshilli i Lartë Gjyqësor do të vazhdojë KLD-ja funksionet?

Vasilika Hysi: Patjetër.

Besnik Imeraj: Po Kushtetuta thotë jo më vonë se tetë muaj?

Vasilika Hysi: Po edhe Vettingun Kushtetuta thoshte që duhet të fillonte menjëherë, praktikisht nuk ka filluar.

Besnik Imeraj: Mirë, është faji i politikës. Ai nuk ka rëndësi.

Vasilika Hysi: Është komplekse.

Besnik Imeraj: Pra, ju mendoni që funksioni i KLD-së do të vazhdojë edhe 2 vjet në rast se nuk krijohet KLGJ-ja? Këtu e kam.

Vasilika Hysi: Unë nuk mund të them edhe dy vjet se nuk besoj që ka mendje të çmendura që të pezullojnë këtë proces kaq të rëndësishëm.

Besnik Imeraj: Edhe një ditë të shkelet afati Kushtetues, mendja është e çmendur dhe kushdo që e ka shkelur duhet të përgjigjet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button