SHBA kryen sulmin e parë me dron në Pakistan, nën udhëheqjen e Trumpit
Një sulm me dron i kryer nga Shtetet e Bashkuara ka vrarë dy njerëz me motoçikletë, në një rajon fisnor të Pakistanit, shkruan REL, transmeton Portalb.mk.
Është ky sulmi i parë i tillë në Pakistan nën administratën e presidentit të ri amerikan, Donald Trump.
Sulmi ka ndodhur në zonën Sara Khva të qarkut Kurram, në kufi me Afganistanin.
Një burim i sigurisë i tha Radios Evropa e Lirë se dy personat e vrarë kanë qenë militantë të dyshuar dhe i identifikoi si Qari Abdullah dhe Qari Shakir.
Nuk është e qartë se cilit grup militant i përkisnin.
Pakistani i kritikon sulmet me dron, pasi i konsideron si shkelje të sovranitetit të vendit.
Por, disa dokumente që kanë rrjedhur, kanë treguar se Pakistani dhe Shtetet e Bashkuara kanë bashkëpunuar fshehurazi në disa raste në të kaluarën.