Shkolla në Vizbeg, ndërtimi fillon në mars
Në muajin mars pritet të hidhet gurthemeli për ndërtimin e shkollës fillore në Vizbeg, nevojë e kamotshme e banorëve shqiptarë të këtij venbanimi. Këtë e garantoi sot kreu i komunës së Butelit, Petre Llatinovski duke shtuar se në këtë godinë mësimin do ta ndjekin 1000 nxënës në dy ndërrime, njofton Alsat M.
Edhe nga ministria e Arsimit konfirmojnë se në buxhetin për vitin 2017 është paraparë ndërtimi i shkollës fillore në Vizbeg, por duke mos saktësuar shumën e mjeteve që do të ndahet për ndërtimin e saj. Nga ky dikaster sqarojnë se ditëve në vijim do të shpallet tender për firmën ndërtuese. Nxënësit e Vizbegut vite me radhë përballen me mungesën e një shkolle fillore me mësim në gjuhen shqipe.