Ministrat rumun nën hetim për dekretin e dekriminalizimit të korrupsionit
Megjithëse qeveria e Rumanisë është tërhequr tashmë nga dekreti kontrovers i dekriminalizimit të shkeljeve të zyrtarëve, institucioni që heton korrupsionin ka hapur hetime mbi pyetjen nëse hartimi i vetë draftit qe një akt korruptiv, njofton reporter.al, përcjell Portalb.mk.
Drejtoria Kombëtare Kundër Korrupsionit në Rumani thirri për të marrë në pyetje Ministrin e Brendshëm të hënën, si pjesë e hetimeve që synojnë të zbulojnë se si qeveria e udhëhequr nga social demokratët hartoi një dekret që synonte dekriminalizimin e abuzimit me detyrën.
Hetimi nisi pasi aktivistët e shqoërisë civile nga “Iniciative Rumune” dorëzuan një kallëzim penal kundër qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Sorin Grindeanu më 24 janar, duke e akuzuar atë, mes shumë gjërave të tjera, se ka dërguar të dhëna të gënjeshtërta në parlament dhe te zyra e presidentit me synimin për të fshehur faktet.
Ministri i Brendshëm Carmen Dan tha se ajo u mor në pyetje si dëshmitare dhe “i dha atyre të gjitha detajet”.
Dan qe një nga anëtarët e qeverisë që mbështetën dekretin, të cilin, ekspertët, përfshirë Këshillin e Gjykatësve dhe Drejtorinë Antikorrupsion, e kritikuan ashpër.
Drejtoria Antikorrupsion thirri për pyetje javën e kaluar sekretarin e përgjithshëm të qeverisë, Mihai Busuioc, si dhe Ministren për Marrëdhëniet me Parlamentin, Gratiela Gravrilescu. Dy ish sekretarë shteti në Ministrinë e Drejtësisë thanë se ata nuk kanë kontribuuar në hartimin e dekretit të shumëkritikuar.
Parlamenti të hënën miratoi anulimin e dekretit, por prokurorët anti-korrupsion janë ende duke punuar për të zbardhur procesin e miratimit të dekretit dhe nëse ky proces ka dhunuar ligjet anti-korrupsion.
Përveç marrjes në pyetje të anëtarëve të qeverisë, Drejtoria Antikorrupsion ka kërkuar dokumentet dhe korrespondencën mbi këtë çështje nga Ministria e Drejtësisë.
Kryeministri Grindeanu deklaroi të hënën se ai e konsideronte hetimin të çuditshëm por shtoi se ai vetë nuk qe thirrur për t’u marrë në pyetje.
“Nuk kam folur me ta. Nuk e di dhe e konsideroj këtë shumë të çuditshme. Nuk e di se pse po e bëjnë, kuptoj se kjo ka lidhje me dekretin… qeveria, siç ka thënë edhe Gjykata Kushtetuese, ka vepruar në mënyrë të ligjshme,” tha ai.
Qeveria e miratoi dekretin për dekriminalizimin e abuzimit me pushtetin në një mbledhje natën vonë më 31 janar. Pesë ditë më vonë, Grindeanu njoftoi se qeveria e ka tërhequr dekretin përmes shfuqizimit, por ndërkohë qindramijëra rumunë dolën në rrugë për të protestuar duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë.