Mariçiq-Davidoju: Procesi i negociatave me BE-në duhet të vazhdojë, është në interes të qytetarëve, shtetit dhe rajonit
Zëvendëskryeministri i ngarkuar për çështje evropiane, Bojan Mariçiq, takoi sot përfaqësuesin special të Rumanisë për Ballkanin Perëndimor, Adrian Davodoju, transmeton Portalb.mk.
Në takim u bisedua për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut, bashkëpunimin dypalësh me Rumaninë dhe situatën politike në rajon.
Mariçiq shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Rumanisë dhe theksoi se çdo lloj mbështetje e mëtejshme do të ishte e mirëseardhur.
Davidoju konfirmoi progresin që RMV-ja ka bërë dhe shprehu pritshmërinë që të vendi të përfitojë nga momenti pozitiv politik, të bëhen ndryshimet kushtetuese dhe të vazhdohet procesi i negociatave.
Davidoju theksoi se Rumania, si një nga anëtarët më të rinj të BE-së dhe me përvojë më të re në negociatat e anëtarësimit, është në dispozicion për nxitjen e bashkëpunimit, përmes asistencës së ekspertëve në procesin e negociatave, në disa fusha, përfshirë luftën kundër korrupsionit, drejtësisë dhe sigurisë kibernetike.
E pranishme ishte edhe ambasadorja e Rumanisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Adela Monika Aksinte.
Kujtojmë që Rumania ka emëruar Adrian Davidojun si përfaqësues special për Ballkanin Perëndimor, si shprehje e interesimit për proceset e përgjithshme në rajon, përfshirë Maqedoninë e Veriut. Davidoju i cili ndodhet për vizitë pune në vendin tonë dje zhvilloi takim me ministrin e Jashtëm, Bujar Osmanin.
Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.
Kjo erdhi pas arritjes së propozimit francez në vend me 30 qershor të vitit të kaluar dhe miratimit të tij nga ana e Kuvendit të RMV-së për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut në drejtim të hapjes së rrugës eurointegruese për RMV-në.
Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.
Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.
Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga Bullgaria duke vendosur veto.
- LEXO: Ndryshimet kushtetuese nuk janë tragjedi, thotë Osmani ndërsa Mickoski “kapet” para zyrave të BE-së në Shkup
- LEXO: Nënkryetari i KE-së për RMV-në: Tani është koha për fazën tjetër – hapjen e klasterëve, pas ndryshimeve kushtetuese
- LEXO: Mesazhe nga Brukseli: RMV-ja të merr përgjegjësinë politike për në BE, të mos humbet ky moment
- LEXO: Për vazhdim të procesit eurointegrues duhet të përshpejtohen reformat dhe të ndryshohet kushtetuta, porositën Borrell dhe Varhej në Shkup
- LEXO: Të gjitha etnitetet pjesë e Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut
LEXO: Debati për ndryshimet kushtetuese rrit euro-skepticizimin në Maqedoninë e Veriut