Eurokomisari Han i vazhdon takimet në Shkup

———————————————————————

Eurokomisari Johanes Han, dje pas takimit ministror tha se të gjitha partitë politike në Maqedoni janë përgjegjëse për gjendjen politike, dhe sa më shpejtë që formohet Qeveria, aq më mirë është përcjell.

“Jam këtu që ti dëgjoj politikanët. Më herët nuk kam pasur takime për këtë çështje. Nuk do t’i jap këshilla asnjërës parti se si të veprojë në të ardhmen. Por që të gjithë duhet të dinë se janë përgjegjës për vendimet që do t’i marrin. Sa më shpejtë që formohet qeveria, aq më mirë. Nëse krahasojmë se ku kemi qenë para dy viteve, Maqedonia ka përmirësime. E kemi Përzhinon, dy tentativa të dështuara për zgjedhje dhe sërish zgjedhje. Por zgjedhjet nuk janë fundi i këtij procesi, qeveria duhet të formohet sa më shpejtë. Edhe njëherë të përsëris, ne nuk do t’ju japim këshilla partive politike”, njoftoi Johanes Han.

Han dje u takua me kryeministrin Emil Dimitriev, pastaj mori pjesë në takimin e ministrave të energjetikës nga Ballkani Perëndimor dhe në Takimin ministror të vendeve nga Ballkani Perëndimor, ndërsa mbrëmë realizoi takime të ndara me liderët e partive politike të përfaqësuara në Parlament.

Han-Dimitriev

Kryeministri Emil Dimitriev dhe eurokomisari Johanes Han në takimin e djeshëm në Shkup kanë theksuar se është me rëndësi të respektohet sovraniteti në vendosjen për çështjet me karakter shtetëror dhe kombëtar, njoftoi Kabineti i kryeministrit.

Në takim janë theksuar reformat të cilat nevojiten për avancimin e standardeve në të gjitha sferat shoqërore dhe është shprehur gatishmëri drejt vazhdimit të bashkëpunimit në zbatimin e tyre.

“Eurokomisari Han theksoi se Bashkimi Evropian e respekton integritetin e vendit tonë dhe ardhmërinë tonë evropiane. Bashkëbiseduesit theksuan se është me rëndësi të respektohet sovraniteti në vendosjen për çështjet me karakter shtetëror dhe kombëtar”, thuhet në kumtesë.

Han-Lëvizja BESA

Komisari për zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Johanes Han dhe Komisioni Evropian janë këtu për ta ndihmuar vendin për dalje nga kriza si dhe sa më shpejtë të krijohet Qeveria e re. Kështu ka deklaruar Sekretari Gjeneral i Lëvizjes Besa, Afrim Gashi, pas takimit me Komisarin Han, njofton Portalb.mk.

“Kjo është ajo që në pika të shkurtër e kemi biseduar në takimin tonë. Nuk duan të na përzihen në punët e brendshme, por duan të na ndihmojnë që të dalim nga kjo krizë politike, ekonomike dhe institucionale.”, deklaroi Gashi.

Ai tha se Han i ka inkurajuar që të intensifikohen komunikimet ndërpartiake me qëllim të formimit të Qeverisë.
Momentalisht vazhdon takimi i komisarit Han, me përfaqësues të Aleancës për Shqiptarët. Ndërkaq më pas vijojnë takimet me përfaqësues të PDSH-së, BDI-së, LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së.

Han-LR-PDSH

Kryetari i LR-PDSH-së, pas takimit me komisarin Johanes Han, deklaroi se Bashkimi Evropian shpreh interes të madh për stabilitetin e vendit dhe formimin e shpejtë të Qeverisë së re dhe të përkushtohet në reformat e nevojshme, njofton Portalb.mk.

“Bashkërisht konkluduam se zgjedhjet e parakohshme nuk janë opsion dhe nuk duhet assesi të mbahen” deklaroi kryetari i LR-PDSH-së, Ziadin Sela.

Ai shtoi se nuk ka kompromis as për punën e Prokurorisë Speciale e as me platformën shqiptare dhe se LSDM duhet të merret seriozisht me këtë çështje dhe jo të bëhen pazare me kërkesat shqiptare.

Komisari Han tani po zhvillon takim me përfaqësues të PDSH-së.

Han-PDSH

Kryetari në largim i PDSH-së, pas takimit me komisarin Johanes Han, deklaroi se vetëm PDSH është parti opozitare e vërtetë.

“Ka dy arsye që jam ftuar, e para është që takova mikun tim, mikun e PDSH-së, të shqiptarëve të Maqedonisë, komisionarin Han për të cilin kam respekt të veçantë, arsyeja e dytë që amë ftuar ma merr mendja është se shqiptarët e Maqedonisë i ka marr malli shumë që të shohin një opozitar të vërtetë në partinë demokratike shqiptare pasi tani më u tregua që të tjerët nuk janë opozitarë po janë qeveritar”, deklaroi Thaçi, transmeton Portalb.mk.

Han-BDI

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, pas takimit me eurokomesarin për zgjerim dhe fqinjësi të mirë në Kuvendin e Maqedonisë, tha se pret materiale të dokumentuara nga LSDM që të thirr takim me Kryesinë Qendrore dhe të vendosin për hapat e mëtutjeshëm, njofton Portalb.

Në lidhje me Platformën Shqiptare ai theksoi se mediat e kanë transmetuar gabimisht dhe se ajo ka qenë vetëm deklaratë e partive politike shqiptare në të cilën nuk ka pasur plan për Shqipëri të Madhe ose për ndryshime etnike.

“Me VMRO-në ashtu siç bisedohet edhe me LSDM-në, BDI ka bërë bisedime, me VMRO-në ka qenë 10 vjet në Qeverisje të këtij vendi dhe është e natyrshme të bisedohet. Unë e kam thënë publikisht se VMRO i ka fituar zgjedhjet, ka 51 deputetë dhe sigurisht që është biseduar. Gjithashtu, unë nuk kam biseduar me prapaskena, me prapavija. BDI nuk është një parti që vepron me standarde të dyfishta, që vepron prapa shpine, por bisedojmë me të gjithë dhe nuk kemi asnjë hasmëri me asnjë parti politike në vend”, deklaroi Ahmeti.

Ai mohoi të ketë ndonjë marrëveshje mes partisë së tij dhe VMRO-DPMNE-së, siç pretendoi paraprakisht kreu I PDSH-së Menduh Thaçi.

Han-LSDM

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, pas takimit me eurokomesarin, Johanes Han, tha se eurokomesari ka kërkuar sa më shpejtë të formohet Qeveria, njofton Portalb.

“Fjala është fjalë. Edhe nëse thuhet me gojë, por edhe nëse shkruhet. Do ia japim materialet BDI-së, do të bëjmë gjithçka që të mbarojë procesi i mbledhjes së nënshkrimeve për formimin e Qeverisë. Por, dua të rikujtoj se kur ka negociuar me VMRO-DPMNE-në, ai Gruevskit asgjë nuk i ka kërkuar me shkrim. Ne nuk ikim nga platforma, disa herë kemi potencuar se kemi aspekt pozitiv për platformën, pasi është sfidë për diçka që për një pjesë të qytetarëve të Maqedonisë paraqet pengesë në përditshmëri. Ne e kemi hapur konceptin një shoqëri për të gjithë. Jam i pari nga koalicioni i LSDM-së, që kërkon nënshkrime që të fitojë mandat, kërkon nënshkrime nga partitë shqiptare që të fitojë mandate

Zaev përsëriti qëndrimin se është vërtetuar edhe njëherë gënjeshtra e VMRO-DPMNE-së, se nuk ka kantonizim e as federalizëm dhe se gjithçka që bisedohet është në korniza të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë.

Han-VMRO-DPMNE

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, arriti në takim me eurokomesarin Johanes Han, me vonesë rreth 40 minuta, njofton Portalb.

Ai tha se takimi nuk do të inçizohet nga mediat. Edhe pas mbarimit të takimit, Gruevski nuk dha deklaratë për media, ndërkaq nga VMRO-DPMNE-ja kanë paralajmëruar që sot do të njoftojnë për takimin nëpërmjet kumtesës.

Siç është e njohur, eurokomisari Han vjen në Maqedoni gjatë bisedimeve të bllokuara për formim të qeverisë, pas zgjedhjeve parlamentare më 11 dhjetor të vitit të kaluar, me ç’rast me vete e sjell idenë e qeverisë joformale të Bashkimit Evropian për formim të koalicionit të gjërë qeveritar në vend, e cila do të ketë detyrë krahas shumë reformave, ta zgjidhë edhe çështjen rreth dallimeve për emrin me Greqinë. /Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button