Vazhdojnë protestat antiqeveritare në Rumani

Rreth 250.000 persona u tubuan mbrëmë, për të gjashtën natë me radhë, në protestat e kryeqytetit rumun Bukuresht, kundër dekretit qeveritar për ndryshime në Kodin penal edhe krahas vendimit të djeshëm të Qeverisë për tërheqjen e tij.

Pjesëmarrësit në protestë kërkuan dorëheqjen e Qeverisë të kryeministrit, Sorin Grindeanu dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Protestuesit kanë mbajtur flamuj rumun dhe brohorisnin “Dorëheqje! dhe “Vjedhës!”.

Siç njoftuan mediat rumune, protestat janë mbajtur edhe në më shumë qytete të tjera në mbarë Rumaninë, në të cilat kanë dalë gjithsej mbi 200.000 persona.

Protestat janë mbajtur edhe pse Qeveria rumune në seancë të jashtëzakonshme solli vendime që ta tërheq dekretin për ndryshimet në Kodin penal, me çka do të mundësohej amnistimi i më shumë politikanëve dhe personave të tjerë të dënuar për korrupsion, nëse me veprën e tij shtetit i ka shkaktuar dëm më të vogël se 200.000 lei (rreth 43.500 euro).

Qeveria u detyrua që ta tërheqë dekretin nën presionin e protestave më masive në Rumani pas vitit 1989, kur atëherë çuan deri në ndërrimin e pushtetit të liderit të fundit komunist Nikollae Çausheshku.

Grindeanu refuzon të japë dorëheqje dhe mbrëmë në mënyrë shtesë kërkoi nga Ministria e Drejtësisë në afatin më të shkurtër të përgatisë projekt-ligj për ndryshimet kontestuese të Kodit penal dhe ta dorëzojë për debat në Parlament.

Tërheqjen e ndryshimeve kontestuese Grindeaniu i paralajmëroi që të shtunën, duke shtuar se Qeveria ka vendosur për një hap të tillë pasi që “nuk dëshiron ta përçajë Rumaninë”.

Gjatë kësaj jave është caktuar seancë e Gjykatës Kushtetuese, në të cilën ky trup i lartë gjykues në Rumani duhet të pronocohet për kushtetutshmërinë e dekretit për ndryshime në Kodin penal.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button