CIA: Nuk deshën t’i japin Turqisë anëtarësinë e plotë në NATO

Dokumente sekrete të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës Amerikane (CIA), të cilave u është hequr privatësia dhe janë bërë publike për përdoruesit e internetit, zbulojnë se në vitin 1950, në vend të anëtarësimit të Turqisë në NATO, është arritur marrëveshje që për mbrojtjen e Mesdheut ajo të ftohet vetëm në takimet e planifikimit ushtarak të NATO-s, raporton Anadolu Agency (AA).

Në shënimin e CIA-s të datës 22 shtator 1950 të vulosur si “Top Secret”, vërehet se në vitin 1950, shtetet e Evropës nuk kanë dëshiruar zgjerimin gjeografik të NATO-s, edhe pse kanë qenë në dijeni për dobësinë e forcave të tyre ushtarake.

Në shënimet e CIA-s vëmendjen tërheq fakti se disa shtete të Evropës kanë rënë dakord mes tyre që në vend të anëtarësimit të plotë të Turqisë dhe Greqisë, për mbrojtjen e krahut të Mesdheut këto dy shtete të ftoheshin vetëm në takimet e planifikimit ushtarak të NATO-s.

Ndërkaq, në shënimin e titulluar “Zhvillimet në Kore”, theksohet se Turqia do të dëshpërohet nga fakti se nuk ka mundur të hyjë në NATO pas Luftës së Koresë. Edhe krahas kësaj, në shënim thuhet se “Të vogla janë gjasat që të ketë ndryshim permanent dhe të rëndësishëm në qëndrimin e Turqisë kundrejt Perëndimit”.

Më tej, në shënim qëndron edhe supozimi se partia e atëhershme opozitare në Turqi, CHP, mund ta përdorë për propagandë refuzimin e anëtarësimit të Turqisë në NATO.

“Megjithatë, nëse në mënyrë të rregullt bëhet reklamë se Turqia do të mund të marrë pjesë në takimet ushtarake të NATO-s, atëherë qeveria aktuale mund të shpëtojë nga kjo punë pa i dhënë goditje vdekjeprurëse reputacionit të saj”, thuhet në shënime.

Ndryshe, Turqia më 1949 bëri të ditur aspiratën për të qenë anëtare e NATO-s, ndërkohë që në vitin 1950, gjatë periudhës së qeverisë së Adnan Menderesit, kishte dërguar ushtarë në Luftën e Koresë nën komandën e Kombeve të Bashkuara pas vendimit të marrë në Parlamentin e Turqisë.

Në tetor të vitit 1951 u miratua anëtarësia e Turqisë dhe Greqisë në NATO. Turqia u bë zyrtarisht anëtare e NATO-s më 18 shkurt të vitit 1952.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button