Kinë, hetim ndaj 50 fabrikave për prodhime të falsifikuara

Në qytetin Tianjin të Kinës është hapur hetim ndaj të paktën 50 fabrikave nën akuzën se kanë prodhuar produkte të falsifikuara ushqimore të markave me famë.

Sipas lajmit në organin zyrtar mediatik të Partisë Komunistë të Kinës, gazetën Global Times, pas një hetimi të hapur nga Komuna e Tianjin është zbuluar se fabrikat kanë prodhuar salca të falsifikuara të firmave vendore dhe botërore dhe në këtë mënyrë kanë arritur të përfitojnë një miliard juanë (rreth 145 milionë dollarë).

Gjatë hetimit ka dalur në pah se të paktën 50 fabrika në qytezën Duliu të Tianjanit kanë prodhuar 11 produkte të ndryshme të falsifikuara ushqimore, në mesin e të cilave edhe salcë të sojës dhe uthull.

Njoftohet se në ushqimet e falsifikuara të fabrikave është përdorur kripë industriale, e cila nuk miratohet nga autoritetet kineze të inspektimit ushqimor dhe e cila hap rrugë për paraqitjen e kancerit.

Në këto produkte po ashtu është gjetur se janë përzier materiale të mbetura të prodhimeve të fabrikave të tjera dhe embëlsues artificialë.

Për më tepër, thuhet se fabrikat produktet ushqimore të falsifikuara i kanë tregtuar në emër të markave me famë, ndërsa paketat, shkrimet, barkodet dhe ambalazhet i kanë prodhuar njëlloj sikurse markat në fjalë.

Nga ana tjetër, nga Administrata Kineze për Inspektimin e Ushqimeve dhe Barërave kanë deklaruar se ende vazhdon hetimi për çështjen në fjalë dhe se rezultatet që do të dalin do të ndahen me opinionin publik.

Ndryshe, më 2008 në Kinë ishte zbuluar se në ushqimet për foshnje është përzier melamin, që kishte shkaktuar vdekjen e katër foshnjeve dhe shqetësime në mbi 50 mijë foshnje të tjera. Pas skandalit, Pekini zyrtar kishte angazhuar mbi pesë mijë inspektorë për hetime.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button