Maqedonia ‘imune’ ndaj kritikave të DASH

Raporti vjetor i Departamentit Amerikan të Shtetit, pasqyron gjendjen katastrofike me liritë dhe të drejtat e njeriut në vend. Ekspertja për të drejtat e njeriut Mirjana Najçevska, thekson se kritikat e shumta që janë përfshirë edhe në këtë raport do të hasin në vesh të shurdhër, ndërkaq Qeveria nuk do të marr as hapin më të vogël për të dalë nga kjo situatë.

“Problemi qëndron pikërisht në faktin që prej kohësh pushteti nuk dëgjon as paralajmërimet e brendshme por as ato që vijnë nga jashtë. Thjesht kanë krijuar një ‘zonë tamponë’ rreth tyre, përmes të cilës nuk mund të depërtojë asnjë ndikim”, thekson Najçevska për Portalb.

Madje sipas saj, pushteti ndihet shumë komode dhe e sigurt në këtë situatë dhe pozicionet të cilat i përforcohet gjithnjë e më shumë pasi ka gjetur mënyrë se si ti ‘blejë’ apo frikësojë njerëzit dhe të sigurojë fitore në zgjedhje.

“Arsyeja përse Qeveria jonë nuk i kushton vëmendje raporteve vëzhguese ndërkombëtare nga të cilat dridhen qeveritë kudo në botë dhe reagojnë menjëherë rreth vërejtjeve dhe rekomandimeve që përfshihen në to, ka të bëjë gjithashtu me faktin se Qeveria nuk frikësohet dhe nuk mendon se qeverisa e saj dhe zgjedhjet në të ardhmen varen nga mënyra se si punon apo nga mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të njeriut. Ajo mban llogari vetëm se si do të manipulojë popullin”, shton Mirjana Najçevksa, eksperte për të drejtat e njeriut.

Një nga njollat e zezë në raport janë mediat. Në raportin e DASH-it, theksohet se mediat në Maqedoni janë pre e presioneve të qeverisë, e cila përmes reklamave, krijon varshmëri financiare ndaj saj.

“Më kujtohet një shprehje “kush zotëron median, zotëron botën”. Kjo mashë e fuqishme propagandistike është një nga shtyllat që i garanton mbijetesën pushtetit të sotëm. Departamenti Amerikan i Shtetit ka vërejtur me plot të drejtë, jo vetëm financimin me reklama të mediave, por edhe raportimin e tjetërsuar që ato bëjnë. Ky raportim i tillë, edhe pse në pamje të parë mund të duket i padëmshëm, është një nxitës i fuqishëm i urrejtjes dhe krizave ndëretnike. Nuk është e rastësishme që mediat pushtetare lëshojnë insinuime me prapavijë ndëretnike, për të shpërqendruar vëmendjen reale të qytetarit nga probleme të tjera apo nga mënyra e saj e qeverisjes”, thekson për Portalb, Admir Qose, njohës i mediave.  

Ai madje shton se Departamenti Amerikan i Shtetit, çdo institucion përfaqësues ndërkombëtar apo edhe çdo qytetar me logjikë të shëndoshë mund të shohë mënyrën se si frymon pushteti, si thuren krizat politike, etnike, sociale etj. “Kjo gjuhë vrastare në politikë, ky nivel i pamëshirshëm korruptimi, rryshfetimi etj. duhet të zbutet, përndryshe, së shpejti në ekranet tona do shohim sërish rrahje ndëretnike, incidente dhe përshkallëzim urrejtjeje. Kjo e bën Maqedoninë, vetëm të ecë së prapthi!”, vlerëson Admir Qose, njohës i mediave.

Në raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit, Maqedonia kritikohet rreth respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut. Theks të veçantë i vihet ndërhyrjes së ekzekutivit në pushtetin gjyqësor, ligjvënës, mediakve si dhe ndjekjes selektive të kundërshtarëve politik./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button