GROTESKA E QUAJTUR “TRENI”

Pas trenit provokues që u nis nga Beogradi për Kosovë me nishane mesjetare bizantine, por që u ndal në Rashkë e u kthye prapa, u paraqitën krerët e shtetit serb, presidenti  dhe kryeministri, Tomislav Nikoliqi dhe  Aleksandar Vuçiqi. Mesazhet e tyre ishin këto:

Nikoliqi:

“Kemi qenë në zgrip të konfliktit. Shqiptarët duan luftë, por çdo përpjekje e institucioneve të përkohshme në Prishtinë që të shkaktojnë konflikt, si me rastin lidhur me trenin, do të përfundojë keq. Le të mendojnë për këtë edhe shqiptarët dhe sponsored e tyre. Nuk duam luftë, por po të duhet do ta dërgojmë edhe ushtrinë në Kosovë që t’i mbrojmë serbët nga vrasjet potenciale. Nëse do t’i vrasin serbët, do ta dërgojmë edhe ushtrinë, të gjithë do të shkojmë edhe unë do të shkoj, s’e kam për herë të parë. Serbia do të veprojë në përputhje me Kushtetutën e Serbisë”

Vuçiqi:

1.“Kë e pengojnë freskat ose flamuri trengjyrësh serb ose fakti se Kosova është Serbi? Mua këtu asgjë nuk më pengon. Dua që qytetarët ta dinë se ai ishte një tren i zakonshëm, kurrfarë tanku as kurrfarë automjeti i blinduar, me të askush nuk u fye, por me atë tren është dashur të udhëtojnë nënat me fëmijë dhe qytetarët e thjeshtë…”

2. “…Po u bëj lutje shqiptarëve në Kosovë e Metohi që mos të vrasin serbë, se Serbia këtë nuk do ta lejojë…”

Koment: Në politikë, madje edhe në shtetet në formim e sipër nuk mund të hasen këso groteskash autorë të së cilave janë udhëheqësit më të lartë. Mungesa e argumenteve, histeria dhe lëmshi i gjykimeve është rezultat i një frike patalogjike nga zgjedhjet paraprake të Serbisë. Nikoliqi e ka të qartë se do të humbë, madje ka mundësi që mos ta lejojnë që të caktohet si kandidat për president. Nga ana e tij Vucici ka ambicie të mëdha që edhe ai të kandidohet për president, ngase atë e mbështet fuqishëm Partia socialiste e Serbisë, trashëgimtare e ideologjisë së Millosheveviqit.

Të dy krerët e Serbisë thanë se treni na qenka lëshuar që të ketë lëvizje të lirë të njerëzve. Mirëpo nuk thanë asgjë për Murin e Mitrovicës, të cilin serbët e ngritën pikërisht për pengimin e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe të ndërprerjes së fqinjësisë së mirë midis dy fqinjëve. Nuk u lidhej në skenarin e tyre pseodopatriotik dhe në ideologjinë serbomadhe.

Sa e ultë është deklarata e Vuçiqit kur thotë se me atë tren është dashur të udhëtojnë nënat me fëmijë dhe qytetarët e thjeshtë. Në fakt me atë tren janë rrezikuar udhëtarët.

Kërcënimet e këtyre udhëheqësve serbe ndaj shqiptarëve u ngjajnë atyre që i shkruajnë djerrakohësit në rrjetat sociale serbe. Ende s’e kanë të qartë se duhet të ngrenë iniciativa për pajtimin e dy popujve fqinj!

Këto situata tragjike-komike, këto deklarata të nivelit të sharlatanëve e zbuluan edhe lojën që u bë dhe vazhdon të bëhet me arrestimin e Ramush Haradinajt në Francë.

Le t’i shohim qëndrimet e opozitës serbe rreth rastit “Treni”, që e paraqesin një realitet tjetër në politikën opozitare serbe:

Kumtesa e Partisë liberale demokratike:

“Pas disa deceniesh të luftërave të shkaktuara me politikën e cila e shkatërroi vendin tonë dhe për të së cilës qindra mijëra njerëz e humbën jetën, zyrtarët e Serbisë kanë detyrim ta ruajnë paqen, e jo të bëjnë thirrje për vuajtje të reja dhe për rezultate katastrofale të cilat do t’i kapërcenim me vështirësi. Javëve të fundit jemi dëshmitarë se si incidentet nacionaliste dhe provokimet e pakuptimta mund të transformohen fare lehtë në kushtrime lufte prej të cilave në fund do të kenë dobi vetëm politikanët të cilët i kanë shkaktuar me qëllim këto provokime, ngase ndryshe nuk mund të sillen…

Paraqitja skandaloze e Nikoliqit në Banjallukë e cila i thelloi ndarjet e shumta në BeH e fitoi vazhdimin e saj në situatën abnormale me trenin, i cili në vend se t’i bashkojë popujt, solli radikalizimin edhe më të madh të Prishtinës e Beogradit, dhe çka është edhe më keq, të serbëve e shqiptarëve të cilët të ardhmen e kanë së bashku në Bashkimin Evropian, e jo në istikamet e reja. Nikoliqi me fushatën e tij të pashpallur presidenciale, përmbajtja e së cilës është nacionalizmi, edhe me paraqitjen e sotme dhe mme atë që e tha në Banjallukë na fut në konflikte të reja, edhe pse prioritet i të gjitha prioriteteve të Serbisë është zgjidhja e problemeve të cilat janë pasojë e viteve nëntëdhjetë dhe të cilat me humbje të tmerrshme mezi i kapëcyem…

Forcat civile demokratike në Serbi kanë detyrim që t’i bëjnë rezistencë të fuqishme çmendurisë nacionaliste ku udhëheq Nikoliqi, ndërsa të cilën haptas e mbështet dhe e nxit Zyra për KeM dhe përfaqësuesit e saj. Serbisë i duhen reforma dhe ndryshime të brendshme nga të cilat qytetarët dhe mbarë shoqëria do të ketë dobi, e jo izolimi të cilin na e ofrojnë kryetari i tashëm dhe kandidatët tjerë presidencialë të cilët me më shumë dëshirë do ta rehabilitonin politikën e Slobodan Milosheviqit dhe Vojislav Koshtunicës”

Borko Stefanoviq, ish shefi i ekipit negociator të Serbisë në Bruksel:

“… Rasti ‘treni’ paraqet edhe një marketing të lirë në regjinë e Vuçiqit dhe Gjuriqit, i cili nuk zgjidhi asgjë, por nxiti vetëm tensione të reja”. “Ndërsa sa i përket pohimit të Nikoliqit se kjo që ndodhi të shtunën paraqet përpëlitjen e fundit politik të administratës amerikane, bindshëm më duket se kjo megjithatë është përpëlitja e fundit të presidentit (serb) në largim”…

Lëvizja Dosta je bilo (Mjaft ishte) e  Sasha Raduloviqit:

“Kryetari i qeverisë me shfaqjen parazgjedhore ‘Treni – transparenti  lëvizës s’mund të shojë më larg se prej Rashke’ i rrezikoi jetët e udhëtarëve dhe e përndezi nacionalzmin dhe urrejtjen në të dy anët. Kaosin që e prodhojnë, lodrat e luftës të cilave u bien na kthen të gjithëve në vitet e luftës 90 dhe ato janë janë pasojë kryekëput e frikës së tyre nga humbja e pushtetit”…

Drejtori i Forumit për marrëdhënie etnike, Dushan Janjiq:

“Orvatja e vendosjes së linjës së trenit nga Beogradi bë Mirovicën e Kosovës bie në praktikën e zhvilluar të incidenteve politik-propagandistik të cilët synojnë ta forcojnë pozitën në negociata”…

Këto deklarata flasin qartas ku është e vërteta, e zbërthejnë groteskën politike “Treni”…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button